BotaLajme

Propozimi nga Italia: 4 ditë punë e 3 ditë pushim në javë për punonjësit

Në një moment të turbullt ekonomik, me një kosto energjie çdo ditë e më e shtrenjtë, kompanitë e punëdhënësit italianë po studiojnë një plan fleksibël organizativ për punonjësit që parashikon shkurtimin e javës së tyre të punës.

4 ditë në punë e 3 ditë në shtëpi, me të njëjtën pagesë, ky është propozimi i një prej kompanive më të madhe bankare italiane, për të përballuar këtë situatë të vështirë që po kalojnë sipërmarrjet e familjet italiane.

Banka Italiane Intesa San Paolo, grupi kryesor bankar në Itali si për kuotat në bursën e Milanos ashtu dhe për numrin e qendrave të hapura në të gjithë territori, ka propozuar shkurtimin e ditëve të punës për punonjësit e saj si dhe zgjatjen me një orë të ditës së punës. 

Konkretisht me një dokumentacion të analizuar në çdo detaj, ky grup bankar i ka kërkuar sindikatave italiane të pranojnë propozimin e tyre që parashikon 4 ditë punë në javë e jo 5 ditë siç është aktualisht e 9 orë punë në ditë e jo 8 orë. Praktikisht punonjësit nuk do të punojnë më 37 orë e gjysëm në javë, por 36 orë e me të njëjtën pagesë.

Për t’u aktivizuar, ky vendim ka nevojë për dritën jeshile të grupeve sindikaliste përfaqësues të bankierëve e punonjësve administrativ e teknikë të Banka Intesa, pasi prek normativat e Kontratës Kombëtare për Personelin.

“Kohët ndryshojnë e duhet të jemi gati për të realizuar mënyra të reja pune”, është komenti i bërë nga presidenti i kësaj banke Gian Maria Gros-Pietro, “e aplikuam gjatë pandemisë dhe ja dolëm”.

Sipas kryebankierit, principi i këtij propozimi është reduktimi i kostos së energjisë, fleksibiliteti, efikasiteti e mirëqënia e punonjësve që do të punojnë një ditë më pak e do të jenë më efikas në punë”.

Shoqata përfaqësuese e sipërmarrjeve të vogla e të mesme italiane, Confesercenti ka analizuar se 26% e kompanive italiane po mendojnë të limitojnë orarin e punës apo orarin e hapjes së aktivitetit, për shkak të shtrenjtimit të energjisë, ndërsa 36% e sipërmarrjeve të vogla e të mesme, u duhet të rrisin çmimin final të produkteve të tyre, pasi është e pamundur të përballojnë koston prodhuese.

Shkurtimin i orarit për punonjësit nuk është një risi në tregun botëror të punësimit. Në qershor të 2022 në Britaninë e Madhe nisën ta aplikojnë në një fazë eksperimetale rreth 70 kompani, e 88% e tyre janë deklaruar se janë gati ta vazhdojnë për gjithnjë, Po ashtu në Islandë një normë e tillë u aplikua për 2500 punonjës e u vërtetua se me një ditë pune më pak, efikasiteti prodhues i tyre mbeti i pandryshuar.

Show More

Related Articles

Back to top button