Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, përsëriti thirrjet e tij të enjten për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, derisa fliste në një konferencë në Kazakistan, ku merr pjesë dhe presidenti rus Vladimir Putin.
Secili prej nesh po e ndjen ndikimin rajonal dhe global të krizës në Ukrainë. Pavarësisht nga këtë vështirësi në terren, prioriteti ynë është t’i japim fund gjakderdhjes sa më shpejtë të jetë e mundur”, tha Erdogani gjatë fjalimit, shkruan CNN-i.
Më vonë të enjten, Erdogani dhe Putini pritet të takohen për një takim dypalësh në margjinat e Samitit të Konferencës për Ndërveprim dhe Masat e Ndërtimit të Besimit në Azi, në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve TASS.
Erdogani ka bërë thirrje vazhdimisht për t’i dhënë fund luftës dhe ka luajtur rol kyç në marrëveshjen e ndërmjetësuar nga OKB-ja midis Moskës dhe Kievit këtë verë për të lejuar rifillimin e dërgesave të grurit nga portet e Detit të Zi në Ukrainë.