BotaLajme

Kremlini: Putin nuk diskutoi me Erdoganin për Ukrainën

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, nuk kanë diskutuar për luftën në Ukrainë gjatë një takimi bilateral në Kazakistan, të zhvilluar më 13 tetor, ka thënë Kremlini.

Para takimit, Erdogan ka dhënë shenja se është i gatshëm të ndërmjetësojë palët që janë përfshirë në konflikt, duke thënë se diplomacia do të ofronte mundësi “për paqe të duhur”, ashtu që të ndalet gjakderdhja.

“Tema për zgjidhjen e çështjes ruso-ukrainase nuk është diskutuar”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas agjencisë së lajmeve RIA.

Presidenca turke nuk ka dalë ende me koment për këtë takim.

Turqia, vend anëtar i NATO-s, ka qëndruar neutrale prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ajo nuk u është bashkuar sanksioneve të Perëndimit ndaj Rusisë, dhe ka mbajtur lidhje të mira me Kievin dhe Moskën.

Autoritetet turke kanë organizuar dy takime mes Moskës dhe Kievit për diskutim të paqes, ndonëse takimi i fundit i tillë është mbajtur në muajin mars, pa ndonjë rezultat.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 13 tetor se nuk mund të ketë bisedime me Putinin, meqë sipas tij, diplomacia me liderë që nuk respektojnë ligjin ndërkombëtar është e pamundshme.

Më 12 tetor, Zelensky u ka thënë liderëve të grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7) që të mos dialogojnë me liderin rus, i cili beson vetëm në terror dhe “nuk ka të ardhme”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

Show More

Related Articles

Back to top button