GostivarLajme

ZVICËR: PËRSE U ZHDUKË LEJA E PUNËS SEZONALE?

Edhe sot e kësaj dite, nëse do të ekzistonin lejet disa mujore vjetore, me siguri se ky status pune dhe qëndrimi do t’i konvenonte një numri të konsiderueshëm të personave, të cilët, nuk janë domosdo të interesuar të sigurojnë një qëndrim afatgjatë në këtë shtet, por vetëm të punojnë brenda një kohe të caktuar.

Me siguri se një vlerësim i rëndësishëm i cili vlente në të kaluarën vlen edhe në ditën e sotme. Në fakt, lejet për punë sezonale, përfshirë këtu edhe lejet për “studentë” (leje tre mujore), nuk iu konvenonin vetëm personave të interesuar, por edhe interesave të shumë sektorëve të ekonomisë zvicerane, të cilat kanë pasur dhe kanë akoma nevojë të madhe për punëtorë “stinorë”, të cilët mund të punojnë vetëm brenda një periudhe të caktuar të vitit.

Rikujtojmë se në historinë e migracionit të bashkëvendësve tonë në Zvicër, është leja për punë sezonale ajo e cila simbolizon fillimin e punësimeve në këtë vend, gjë kjo që filloi para disa dekadave dhe që paraqet hapat e para të rrugëtimit të “kyrbetit” të popullatës sonë në këtë shtet.

Ishte jashtëzakonisht i mirë imazhi i punëtorëve sezonalë (stinorë) që vinin nga vendet ballkanike: ata konsideroheshin, në përgjithësi, si punëtorë efikas dhe si njerëz të zellshëm. Një analizë kjo që reflektonte një realitet të pakontestueshëm.

Në fillim të viteve të nëntëdhjeta, shteti zviceran vendosi befasisht për tërheqjen e lejes sezonale.

Para se të merrej ky vendim, dukej se leja e tillë e punës u bë një objekt interpretimi të ngjyrave të ndryshme, përfshirë këtu edhe konfuzionet e shumta që shpreheshin këtu e aty!

Në fakt, statusi sezonal ballafaqohej me disa kritika që vinin posaçërisht nga disa qarqe që nuk ishin të kënaqura me disa kufizime ligjore që i impononte statusi i tillë dhe që kishin të bëjnë posaçërisht me ndalesën për bashkim familjar. Me leje sezonale nuk mundej pra me shpresuar rregullimin e statusit të qëndrimit për anëtarët e afërm të familjes.

Ky pretekst i përdorur asaj kohe mbetet akoma vështirë i kuptueshëm, pasi që një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve sezonalë, nuk kishin ndonjë projekt për tu vendosur definitivisht në Zvicër. Bile shumica e tyre as që e shihnin perspektivën e familjeve të tyre në Zvicër.

Kështu që, çështja e bashkimit familjar nuk paraqitej asaj kohe si një prioritet madhor. E fundja, pas vetëm pak viteve punë sezonale, mund të fitohej leja stabile e qëndrimit dhe, si pasojë e kësaj, edhe realizimi i të drejtës për bashkim familjar për personat e interesuar.

Në kontekstin e kohërave të atëhershme, analiza e « zhdukjes » së lejeve sezonale nuk mund të kufizohet vetëm në këto elemente sqaruese që i cekëm. Sipas vlerësimeve të disa analistëve, duket se ndikuan edhe disa faktorë të tjerë të cilat përshpejtuan marrjen e vendimit të tillë, ndër të cilat do t’i veçonim :

Së pari, ardhja masive në vitet e nëntëdhjeta e azilkërkuesve nga vendet e ndryshme ballkanike, duket se, në mënyrë direkte apo indirekte, i shtyu autoritetet zvicerane të marrin disa masa për adaptimin e një politike të migrimit apo edhe për kufizimin e numrit të personave që vinin nga Ballkani perëndimor dhe nga disa shtete të tjera.

Së dyti, shtimi i akteve të paligjshme dhe përhapja e disa formave të kriminalitetit të personave me origjinë ballkanike, qofshin ato si akte të izoluara, shkaktoi, në mënyrë progresive, instalimin e një klime negative, që pati pasoja edhe në nivel të perceptimit të popullatës zvicerane ndaj njerëzve që vinin nga Ballkani.

Nëse iu bëjmë një analizë më të thelluar tendencave që e kritikonin statusin sezonal, posaçërisht në emër të disa të drejtave (për bashkim familjar, etj.), sot mund të thuhet lirisht se nuk jemi aspak të sigurt se ata tendenca i mbrojtën ashtu siç duhet interesat e ballkanasve të cilët shprehnin interesimin për me qëndruar për punë sezonale në Zvicër.

Siç duket, ata u përqendruan më tepër në kritikën e një sistemi se sa në propozimin e ndonjë alternative tjetër të mundshme që do t’iu shkonte përshtati interesave të personave që ishin të kënaqur me “statusin sezonal”.

Sot, « ringjallja » e këtij statusi “të së kaluarës” duket në moment fatkeqësisht i parealizueshëm. Bile edhe disa propozime nga qarqet politike që e mbështesin statusin e tillë dhe që kërkojnë hapjen e mundësive për leje sezonale vetëm disa mujore (tre apo katër) kanë pësuar dështime të njëpasnjëshme në konkretizimin e tyre.

Show More

Related Articles

Back to top button