Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, është kritikuar për lidhjen që ka bërë mes vdekjes së 41 minatorëve dhe “fatit”.
Komentet e tij kanë nxitur protesta në Stamboll, pasi disa e kanë përshkruar aksidentin në veri të Turqisë si “masakër”.
Familjarët e personave të vdekur kanë pretenduar se viktimat kanë përmendur aromë të gazit për më shumë se një javë.
Shpërthimi i 14 tetorit në një objekt në Detin e Zi, ka lënë të plagosur edhe 28 persona tjerë.
Erdogan është deklaruar për këtë rast, pas një vizite në provincën Bartin.
“Ne jemi njerëz që besojmë në planin e fatit”, u ka thënë ai gazetarëve, teksa afër ka pasur punëtorë të ekipit të shpëtimit.
Aksidente të tilla “do të ketë gjithmonë, ne duhet ta dimë këtë gjë”, ka shtuar ai.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk dëshiron të shohë “mangësi apo rreziqe të panevojshme”, ka raportuar Euronews.
Pas komenteve të Erdoganit, lideri i opozitës, Kemal Kilicdaroglu, ka pyetur se “në cilin shekull jemi duke jetuar?”.
“Pse aksidentet në miniera ndodhin vetëm në Turqi?” ka pyetur ai.
Emin Koramaz, i cili udhëheq Sindikatën e Inxhinierëve dhe Arkitektëve turq, e ka hedhur poshtë idenë që shpërthimi kanë qenë aksident, duke sugjeruar se minatorët janë dërguar “qindra metra nën tokë, pa pasur pajisje mbrojtëse, pa inspektime dhe pa u krijuar kushte të sigurta”.
Autoritetet ende nuk e kanë bërë të ditur shkakun e saktë të shpërthimit.
Ato kanë bërë të ditur se kanë nisur një hetim për rastin.