Komisioni Zgjedhor i Pakistanit, me anë të një vendimi unanim, e ka shpallur fajtor ish-kryeministrin Imran Khan mbi akuzat për “praktika korruptive” dhe e s’kualifikoi atë nga mbajtja e posteve publike për pesë vjetët e ardhshme.
Partia Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI) e Khanit hodhi poshtë menjëherë vendimin, duke sfiduar juridiksionin e komisionit për të dhënë një vendim të tillë, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
Ata thanë se do ta apelojnë vendimin në Gjykatën e Lartë të Islamabadit dhe u bënë thirrje mbështetësve të dalin në rrugë për të protestuar kundër këtij vendimi.
Çështja kundër Khanit u ngrit në gusht nga një anëtar i Lidhjes Muslimane të Pakistanit Nawaz (PMLN), duke pretenduar se ish-kryeministri kishte shitur në mënyrë të paligjshme dhuratat shtetërore që i ishin dhënë nga vendet e tjera kur ai ishte në pushtet.
Tutje, u tha se Khani kishte fshehur nga autoritetet tatimore të ardhurat që fitoi nga shitja e atyre dhuratave.
Duke folur me gazetarët pas vendimit, kreu i PTI-së Fawad Chaudhry e quajti vendimin e komisionit “të turpshëm” dhe një “shuplakë në fytyrë” ndaj popullit pakistanez.
“Ky vendim nuk është një sulm vetëm ndaj Imran Khanit. Është një sulm ndaj kushtetutës së Pakistanit dhe popullit të tij”, tha ai.
Khan, i cili u hoq nga zyra e tij në prill përmes një votimi mosbesimi parlamentar, ka akuzuar komisionin për njëanshmëri dhe ka veçuar shefin qeveritar, Sikandar Sulltan Raja, për paragjykim ndaj tij dhe partisë së tij. /Klankosova.tv