27 liderët e Bashkimit Europian mblidhen në Bruksel në një samit dyditor për të aprovuar sanksionet e reja kundër Rusisë për agresionin në Ukrainë. Sipas burimeve zyrtare të Bashkimit Europian, Këshilli Evropian synon të arrijë një marrëveshje politike sot për një embargo ndaj naftës ruse.
Kjo embargo do të mbulojë më shumë se 2/3 e importeve të naftës nga Rusia, që përfshin të gjithë importin e naftës nga deti nga Rusia. Sipas këtyre burimeve, kjo është një arritje e jashtëzakonshme për Bashkimin Europian, i cili është plotësisht i bashkuar dhe e përkushtuar ndaj rritjes së presionit ndaj Rusisë.
Disa përjashtime të përkohshme janë dhënë për të garantuar sigurinë e furnizimit me naftë për disa shtete anëtare si Hungaria, apo Sllovakia, që nuk kanë dalje në det dhe për këtë arsye, kanë kërkuar një përjashtim të përkohshëm nga embargoja totale e importit të naftës. Burimet zyrtare të BE-së, njoftojnë, se Këshilli do t’u kthehet këtyre përjashtimeve sa më shpejt që të jetë e mundur.
Përveç embargos së naftës, kjo paketë sanksionesh do të përfshijë masa të tjera thelbësore si heqjen nga sistemi Swift i bankës më të madhe ruse Sberbank, ndalimin e tre transmetuesve të tjerë shtetërorë rusë, listimin e individëve që kanë kryer krime lufte në Ukrainë, etj. /abcnews.al/