Sot Greqia përkujton ditën kombëtare, kur vendi i tha JO-në e madhe Italisë në Luftën e Dytë Botërore.
Këtë ditë Greqia feston hyrjen në luftën e 1940-ës.
Siç e ka zakon vendi, çdo 28 tetor në sheshet kryesore të vendit zhvillohen parada, duke nisur nga nxënësit e kopshteve, te shkollat dhe gjimnazet deri te paradat e ushtrisë greke me avionë e tanke.
Në paradën e sotme në Selanik, e pranishme ishte dhe presidentja e vendit, Katerina Sakellaropoulou.
Parada u hap me Orkestrën Filarmonike të Selanikut dhe u pasua nga anëtarët e Federatës së Invalidëve dhe Viktimave të Luftës së Greqisë Veriore – Shoqata “KOMANTOS” 74 të ndjekur nga
Shoqata e Pasardhësve të Luftëtarëve “PAVLOS MELAS”.
Më pas morën pjesë anëtarët e Kryqit të Kuq Helen, përfaqësues të shoqatave kulturore, por edhe nxënës të shkollave të Selanikut.
Ndërkohe në qiellin e Selanikut fluturuan avionët “Rafales” dhe avioni legjendar Spitfire MJ755. Sigurisht në paradë nuk mund të mungonin Forcat e Armatosura greke, marina me tanket që tërhoqën vëmendjen e qytetarëve.
Ndryshe nga vendet e tjera që festojnë dhe kanë vendosur si ditë pushimi ditët e përfundimit të dy luftërave botërore, Greqia ka vendosur si festë kombëtare futjen në Luftën e Dytë Botërore, fillimin e luftës greko-italiane.
Në Greqi, të gjithë përvjetorët e mëdhenj kombëtarë janë të lidhur me fillimin dhe jo me përfundimin e një lufte, me pjekurinë e kombit për revoltë kundër skllavërisë turke (25 Mars) ose fashizmit (28 Tetor).
Çfarë ndodhi më 28 tetor 1940
Në orët e para të 28 tetorit 1940, Italia, nëpërmjet ambasadorit të saj në Athinë, i dërgoi një ultimatum I. Metaksas duke kërkuar kalimin e lirë të trupave italiane nga kufiri greko-shqiptar.
Në të njëjtën kohë kërkoi që t’i jepeshin disa pika me rëndësi strategjike, si p.sh. disa aeroporte, porte etj që do të ndihmonin bizneset e saj në zonën përreth.
Kryeministri grek në atë kohë u përgjigj me një JO madhështore, që pasqyronte edhe vullnetin e shumicës së popullit, ishte diçka si kërkesë popullore.
Fjalët Metaksas ishin: “Epo kjo do të thotë luftë”, por gazetat e kohës nuk vonuan të shkruanin për “JO”-në e famshme të kryeministrit italianëve.
Kjo lëvizje e Metaxas shënoi hyrjen e Greqisë, deri atëherë neutrale, në Luftën e Dytë Botërore./abcnews.al/