Osmani: Nuk do të marrë pjesë në hapjen e klubit maqedonas në Bllagoevgrad
HAPJA E KLUBËVE TË TILLA NUK JANË FUNKSION TË MARRËDHËNIEVE TË MIRA FQINJËSORE
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot në një brifing me gazetarët në Shkup konfirmoi se nuk do të shkojë në hapjen e klubit të komunitetit maqedonas të dielën në Bllagoevgrad, sepse beson se as ai klub dhe as ato bullgare që hapen këtu nuk janë për të mirën e komunitetit maqedonas në Bullgari apo komunitetit bullgar në vend.
Shefi i Diplomacisë në vend Bujar Osmani vlerson se ashtu si hapja e klubeve në Ohër dhe Manastir, edhe hapja e klubit në Bllagoevgrad nuk është funksion i marrëdhënieve të mira fqinjësore mes dy vendeve. Ai shtoi se këtë mendim të tij e mbështesin edhe të dhënat me të cilat financohet klubi në Blagoevgrad dhe se ky proces nuk mund të jetë në funksion të promovimit të komunitetit maqedonas, interesave të qytetarëve maqedonas atje, marrëdhënieve mes dy vendeve, dhe të fqinjësisë së mirë.
“Kur kuptova se kush e financon klubin, ishte e qartë për mua. Është një fondacion nga Kanadaja, i cili ka edhe faqen e tij të internetit dhe po të shikosh qëndrimet ndaj shtetit, ndaj interesave strategjike të shtetit, do të shohësh që nuk është në shërbim të atyre interesave strategjike, dhe unë nuk pres që do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe marrëdhënieve mes dy vendeve. Fakti që financuesi i atij klubi është ajo shoqatë për mua është fakt i mjaftueshëm se kjo iniciativë nuk ka një qëllim të mirë”, tha Osmani.
Në vërejtjen se klubet bullgare me emra kontrovers janë përkrahur nga përfaqësues zyrtarë të autoriteteve bullgare, Osmani u përgjigj se nëse vendi nuk kishte dallime me Bullgarinë, nuk do të kishte asnjë proces dhe shtoi se pret që një ditë të tejkalohen të gjitha mosmarrëveshjet.
Shefi i diplomacisë theksoi se qytetarët edhe këtu edhe në Bullgari kanë të drejtë absolute të hapin klube, por në përputhje me ligjet dhe siç tha ai, këtë ia ka theksuar edhe kryeministrit bullgar.
“Ajo që ndodhi në Ohër është në kundërshtim të çdo interesi të komunitetit bullgar, nuk kam standarde të dyfishta, por agjenda duhet të kthehet në marrëdhëniet normale të fqinjësisë së mirë, të cilat janë në frymën e miqësisë”, tha Osmani.
Ai njoftoi se në ditët, javët në vijim do të shkojë në Sofje për të negociuar me autoritetet atje për të intensifikuar punën e grupeve të punës dhe për të vendosur një agjendë konstruktive. Ai gjithashtu theksoi se përkundër të gjitha problemeve, për herë të parë është arritur një shkëmbim tregtar mbi një miliard euro me Bullgarinë./KlanMacedonia/