Euro po qëndron në rënie të lehtë në sesionin e sotëm, por pritet të realizojë muajin më të mirë në një vit. Tashmë, investitorët janë pozicionuar mbi pritshmëritë se Rezerva Federale do të ngadalësojë hapin e rritjes së interesave, ndërsa në Europë banka qendrore pritet ta marrë një vendim të tillë së shpejti.
Euro po tregtohet në rreth 1.0745 dollarë, ndërsa në herët preku nivelin më të lartë në 5 javët e fundit prej 1.0786 dollarë, pasi inflacioni në Gjermani u rrit në nivelin më të lartë në 5 dekadat e fundit, prej 8.7% gjatë majit.
Të dhënat kanë përforcuar parashikimet se Banka Qendrore Europiane do të ketë një qasje më agresive me rritjen e interesave. Gjatë majit, ndërkohë, euro është rritur me 2.2% përballë dollarit amerikan, që është rritja më e madhe mujore në një vit.
Në fokus të tregjeve ishte edhe samiti i Bashkimit Europian, ku u arrit një marrëveshje për të ndaluar plotësisht importet e naftës nga Rusia deri në fund të këtij viti. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin ka zgjeruar fitimet dhe po tregtohet në rreth 31,600, niveli më i lartë në 3 javët e fundit. Ethereum po tregtohet në rreth 1970 dollarë.