BotaLajme

Lula rikthehet në pushtet, zgjidhet president i Brazilit

Ish-presidenti brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, ka fituar një mandat të ri në pushtet, pas garës së ngushtë në zgjedhjet presidenciale ndaj presidentit aktual, Jair Bolsonaro.

Da Silva ka fituar 50.9 për qind të votave, në krahasim me Bolsonaron, i cili ka fituar 49.1 për qind të votave, sipas Komisionit Zgjedhor.

Edhe disa orë pas publikimit të rezultateve dhe reagimeve të liderëve botërorë, Bolsonaro ende nuk e ka pranuar humbjen.

Përgjatë fushatës, Bolsonaro ka bërë pretendime të vazhdueshme – të pabazuara – për manipulime të mundshme zgjedhore.

Kështu, ai ka rritur shqetësimet se, në rast të humbjes do të mund të tentojë të sfidojë rezultatin.

Përgjatë mandatit të tij, Bolsonaro ka promovuar vlera shoqërore konservative dhe shpesh ka testuar institucionet demokratike.

Lula ka fituar pozitën e presidentit të Brazilit për herë të parë më 2002. Katër vjet më vonë, e ka fituar edhe mandatin e dytë.

Politikat e eksporteve me Kinën dhe programet tjera të ndihmës, kanë ngjitur miliona brazilianë në klasë të mesme.

Ai është larguar nga pozita e presidentit me normë të mbështetjes prej mbi 80 për qind.

Madje ish-presidenti amerikan, Barack Obama, e pati konsideruar atë “politikanin më popullor në botë”.

Më vonë ai është dënuar për korrupsion dhe pastrim parash, çka ia ka pamundësuar garën në zgjedhjet presidenciale të vitit 2018.

Ndërkohë, Gjykata Supreme ka vlerësuar ligjshmërinë e dënimeve të tij, të cilat përfundimisht i ka anuluar me arsyetimin se kryetari i trupit gjykues federal ka qenë i njëanshëm dhe ka bashkëpunuar me prokurorët.

Pas 580 ditëve në burg, da Silva është liruar.

Për të, kjo fitore e re përbën kthim të fuqishëm.

“Sot, fituesi i vetëm është populli brazilian”, ka thënë da Silva të dielën mbrëma. “Është fitore e lëvizjes demokratike që është formuar përtej partive politike, interesave personale apo ideologjive”.

Da Sivla është zotuar se do të qeverisë përtej partisë së tij.

Ai ka thënë se dëshiron të përfshijë në qeveri politikanët e qendrës dhe disa të krahut të djathtë, ashtu që të kthejë atmosferën e viteve 2003-2010 sa ka qenë në pushtet.

Në këto zgjedhjeve është shënuar rezultati më i ngushtë zgjedhor, prej kthimit të Brazilit në demokraci më 1985.

Kjo, po ashtu, është hera e parë që një president në pushtet nuk ka arritur të rizgjidhet. /Rel

Show More

Related Articles

Back to top button