BotaLajme

Kina izolon mbi 600.000 njerëz rreth fabrikës që prodhon iPhone

Kina ka izoluar një zonë me 600.000 banorë në qytetin Zhengzhou – ku gjendet fabrika më e madhe në botë për prodhimin e telefonave iPhone, të kompanisë amerikane, Apple – për shkak të shpërthimit të koronavirusit.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës, shkruan REL.

Të gjithë njerëzit, përveç punëtorëve të domosdoshëm dhe vullnetarëve për parandalim të koronavirusit, “nuk duhet të largohen nga shtëpitë e tyre”, kanë thënë autoritetet në Zhengzhou.

Ky vendim vjen pas disa pamjeve që kanë dalë në rrjetet sociale kineze javën e kaluar, në të cilat janë parë njerëzit duke u larguar nga fabrika që drejtohet prej gjigantit tajvanez, Foxconn dhe prodhon produkte për Apple.

Disa punëtorë janë ankuar për kushte të rënda, mungesë furnizimesh dhe se u është dashur të ikin nga fabrika në këmbë, për të shmangur kufizimet që ekzistojnë në transport publik.

Foxconn punëson qindra mijëra punëtorë në Zhengzhou.

Kina është ndër vendet e fundit në botë që zbaton strategjinë e zero rasteve me koronavirus.

Autoritetet kineze vazhdojnë të vendosin masa izolimi dhe të kryejnë testime masive, me qëllim të shmangies së shpërthimeve masive të virusit.

Mirëpo variantet e reja kanë testuar aftësitë e zyrtarëve lokalë për të parandaluar koronavirusin para se të përhapet, prandaj një pjesë e mirë e popullsisë në Kinë është duke jetuar vazhdimisht nën kufizime.

Show More

Related Articles

Back to top button