Marrëveshja ishte pezulluar për shkak të sulmeve nga forcat ukrainase ndaj anijeve të flotës ruse
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan i cili është përpjekur të ndërmtjetësojë gjatë luftës në Ukrainë bëri me dije se Rusia ka rënë dakord të rifillonte marrëveshjen për të lejuar eksportet e grurit të kalojnë përmes Detit të Zi.
“Pas telefonatës që mbajtëm dje me Putin, ministri rus i Mbrojtjes Shoigu telefonoi ministrin tonë të Mbrojtjes Kombëtare Hulusi Akar dhe u shpreh se transporti i grurit do të vazhdojë siç ishte rënë dakord më parë”.
Presidenti turk shtoi se eksportet në vendet afrikane do të kenë prioritet, duke thënë se Rusia ishte e shqetësuar se shumica e grurit të eksportuar po përfundonte tek vendet më të pasura. Moska konfirmoi gjithashtu vendimin e saj për t’iu rikthyer marrëveshjes së eksportit të grurit.
“Federata Ruse konsideron se garancitë e marra për momentin duken të mjaftueshme dhe rifillon zbatimin e marrëveshjes”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Rusia njoftoi të shtunën se do të pezullonte pjesëmarrjen e saj në marrëveshjen e eksportit të drithit në Detin e Zi të ndërmjetësuar nga OKB për shkak të sulmeve të Ukrainës ndaj anijeve të flotës së saj të Detit të Zi.