Presidenti kinez Xi Jinping dhe sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Vietnamit Nguyen Phu Trong gjatë vizitës zyrtare të këtij të fundit në Kinë , arritën konsensus për çuarjen përpara të marrëdhënieve të bashkëpunimit strategjik e të partneritetit të gjithanshëm Kinë-Vietnam.
Nga këndvështrimi ekonomik, Kina dhe Vietnami janë partnerë të rëndësishëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Vitet e fundit janë shpejtuar hapat e ndërthurjes së nismës kineze “Një brez, një rrugë” dhe të strategjisë “Dy korridore, një unazë” të Vietnamit, duke rritur pandërprerë nivelin e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Vietnamit për shumë vjet me radhë dhe Vietnami është partneri më i madh tregtar i Kinës në ASEAN dhe partneri i 6-të më i madh tregtar i Kinës në botë. Në vitin 2021, vëllimi i tregtisë dypalëshe i kaloi 230 miliardë dollarët amerikanë. Gjatë bisedimeve, presidenti Xi Jinping propozoi thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mjekësisë, të zhvillimit të gjelbër, të ekonomisë digjitale, të ndryshimit të klimës etj.
Kina dhe Vietnami janë vende fqinje dhe kanë miqësi tradicionale. Pas shpërthimit të pandemisë së COVID-19, Vietnami ishte një ndër vendet e para që i dhuruan Kinës materiale mjekësore. Pas përhapjes së pandemisë në Vietnam, Kina ishte një nga vendet që i dha Vietnamit sasinë më të madhe të vaksinave .
Si dy vende kryesore në zhvillim, forcimi i bashkëpunimit kino-vietnamez në çështjet shumëpalëshe, përkrahja e ndërsjellë në problemet e rëndësishme me interes thelbësor për njëri-tjetrin dhe mbrojtja së bashku e multilateralizmit dhe e drejtësisë ndërkombëtare janë në të mirë të promovimit të paqes e të zhvillimit rajonal e botëror.