BotaLajme

Ushtria ukrainase raporton për sulme të reja ruse

Donjecku, Luhansku dhe disa rajone tjera ukrainase janë përballur sërish me sulme ruse, kanë thënë të enjten zyrtarët ukrainas.

Ushtria ukrainase, tha më 3 nëntor, se forcat ukrainase u përballën me sulme reja ruse, ku bombardimet e forta dhe sulmet ajrore dëmtuan infrastrukturën e vendit.

Operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se centrali bërthamor i Zaporizhjas në Ukrainën jugore u shkëput përsëri nga rrjeti elektrik pasi granatimet dëmtuan linjat e mbetura të tensionit të lartë, duke e lënë atë vetëm me gjeneratorë me naftë.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha se luftime të ashpra po zhvillohen në lindje, ku trupat ruse po kryejnë operacione sulmuese në zonat Bakmut, Avdijivka dhe Novopavlivka të rajonit lindor të Donjeckut.

Rusët filluan sulme në 12 vendbanime në Donjeck dhe rajonin fqinj Luhansk. Forcat ukrainase i zmbrapsën sulmet, tha ushtria.

Sipas tyre, në Luhansk forcat ruse po përdorin civilët si mburoja njerëzore.

Pretendimet nuk mund të konfirmoheshin në mënyrë të pavarur.

Sulme ruse u raportuan gjithashtu në zonën qendrore të Krivi Rih dhe në Harkiv.

“Armiku po përpiqet të mbajë territoret e pushtuara përkohësisht, duke i përqendruar përpjekjet e tij në frenimin e veprimeve të Forcave të Mbrojtjes në zona të caktuara”, tha ushtria e Ukrainës.

Në javët e fundit, Rusia ka kryer një valë të sulmeve ajrore, sulmeve me dronë dhe bombardime me artileri, duke shënjestruar infrastrukturën civile.

Për pasojë, kanë vdekur njerëz dhe është shkatërruar më shumë se 40 për qind e infrastrukturës ukrainase të energjisë.

Prandaj, shumë familje rrezikojnë të përballen me dimër të vështirë, pasi ndërprerjet e rrymës tashmë kanë nisur.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./rel/

Show More

Related Articles

Back to top button