GostivarLajme

“Fluturojnë” çmimet, ushqimi është shtrenjtuar për 32% / Qytetarët: Mezi mbijetojmë!

Rritja e çmimeve nuk ka të ndalur në vend ndërsa sipas statistikave, për një vit, kostoja e jetesës është rritur për 19.8 për qind. Enti Shtetëror i Statistikave ka bërë të ditur se nga tetori i vitit të kaluar e deri në të njëjtin muaj të këtij viti, vetëm shpenzimet për ushqim janë rritur për 31.2 për qind.

Por, pavarësisht të dhënave zyrtare, qytetarët thonë se çmimet e produkteve ushqimore bazë janë edhe më të larta se ajo që deklarohet zyrtarisht. Thonë se nuk janë të befasuar nga të dhënat e Entit Shtetëror për Statistikë lidhur me shtrenjtimin e ushqimit, pasi një kohë të gjatë po jetojnë me këto çmime. Disa nga qytetarët e anketuar nga televizoni Globi thonë se kriza ekonomike, të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta të faturave, po na varfërojnë çdo ditë e më shumë.

“Si qytetarë nuk mund t’i përballojmë pasi kriza është e madhe, rrogat janë të vogla. Krizë më më të madhe ka për krahun e punës, për punëtorin. Çfarë është shtrenjtuar më shumë? – Te produktet, ja para tre muajsh vaji ishte 50-60 denarë, tash është mbi 120 denarë, grosha poashtu nga 120 denarë tani shitet 400 denarë për kilogram. Produktet e tjera gatise të gjitha janë shtrenjtuar. A mbandi mend ndonjëher të ketë pasur krizë si jo? – Jo, s’mbajë mend, unë kam punuar 40 vite te Parku Nacional, tash ka dy muaj që jam në pension dhe pensionin e kam të mirë, por nuk mbërinë edhe pse jam vetëm me bashkëshorten, pasi gjithçka është shtrenjtuar, rryma, produktet ushqimore, uji, të gjitha”, thotë një pensionist nga Gostivari.

“Nëse i llogarisim të hyrat për mesatarisht sesi sillen viteve të fundit, kemi artikuj të cilët janë shtrenjtuar 200 për qind, 100 për qind, 30 për qind dhe mbi 30 edhe ato elementare dhe nëse e marrim një mestatare kemi 80 për qind dhe kjo pa lëvizje pagash. Është interesante se vetëm çakmakët e thjeshtë dhe faculetat e thata e mbajnë çmimin standard prej 10 denarësh”, deklaron një tjetër qytetar.

“Kemi tepër krizë dhe jemi pa punë, pa asnjë të ardhur. Si do t’ia dalim nuk e dimë, mendohemi por nuk kemi nga t’ia mbajmë. A mbani mend dikur të ketë pasur krizë si kjo? – S’e mbajmë mend, shumë vështirë është tani”, deklaron një taksi-punonjës nga Gostivari.

“Nuk di çka të ju them, këtu është katastrofë me këtë shtet. Nuk është vetëm unë të kem e dikush jo… Kjo është absurd, shumë shtrenjtë. A na ka varfërua kriza? – Po ne e kemi pasur varfërinë gjithmonë dhe duket se jemi mësuar, thjesht ky popull është mësuar me varfëri”, deklaron një qytetar tjetër nga Gostivari.

Buka, e cila vitin e kaluar shitej për tridhjetë denarë, tani e kalon shumën e një eurove, vaji i gatimit nga 55-60 denarë, tani është ka arritur në rreth 130 denarë, e njëjta gjë vlen edhe për qumështin, sheqerin, miellin. Në raportin e fundit të Statistikave për periudhën e analizuar, thuhet se mishi, produktet e qumështit dhe vaji për gatim janë rritur me mbi 40 për qind. Gjithashtu vihet re edhe rritje të shpenzimeve të qytetarëve për faturat e banimit për 20 për qind. Më konkretisht, çmimet e energjisë elektrike, karburantit dhe gazit janë rritur për 25 për qind. Raporti tregon gjithashtu se qytetarët paguajnë 20 për qind fatura më të larta kur shkojnë në restorant ose përdorin shërbime të tjera gastronomike.

Shporta konsumatore sindikale ka tejkaluar 51.500 denarë për një familje katër anëtarëshe. Përllogaritjet e sindikatës thonë se për blerjen e produkteve bazë ushqimore nevojiten afro 20 mijë denarë, ndërsa për shlyerjen e faturave rreth 13.000 denarë.

Show More

Related Articles

Back to top button