Policia spanjolle ka goditur një bandë ndërkombëtare ku 11 persona janë arrestuar si të dyshuar për trafikun e drogës që transportohej me disa makina nga Madridi.
Si rezultat i operacionit, u sekuestruan 13 kilogramë heroinë që deri më tani, konsiderohet si operacioni më i madh gjatë këtij viti në Spanjë. Hetimet kishin nisur në fillim të vitit, kur policia spanjolle zbuloi një individ që shiste sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike. Në Korrik policët spanjollë ndaluan një makinë, e cila kishte sisteme të sofistikuara për të fshehur drogën aq sa u desh të përdoreshin aparate me rreze X, për të zbuluar heroinën e fshehur.
Gjatë hetimit, policia spanjolle zbuloi se banda kishte anëtarë të tjerë që pajiseshin me automjete dhe dokumentacion që të mund të kalonin pa u vënë re, ku kreu i bandës, një shqiptar, përdorte deri në dhjetë automjete të ndryshme.
Shqiptarit i ishte ndaluar të hynte në zonën Shengen ndaj përdorte dokumente false për të udhëtuar dhe pretendonte se ishte ekspert ligjor. Përveç heroinës, autoritetet konfiskuan 1 kilogram hashash, gjysmë kilogram marihuanë, 57 mijë Euro para cash, 900 Dollarë, peshore precize dhe mjete për trajtimin e drogës.
Klan News