Autoritetet në Turqi akuzojnë militantët e Partisë së Punëtorëve Kurdë (PPK) si organizatorët e sulmit me bombë të një dite më parë në qendër të Stambollit.
Sipas ministrit të Brendshëm, Suleyman Soylu hetimet kanë nxjerrë në dritë pikërisht përgjegjësinë e kësaj organizatë për krimin e rëndë që tronditi Turqinë.
Deri tani është arrestuar një person, i cili dyshohet se vendosi lëndën shpërthyese në një nga zonat më të populluara të qytetit më të madh turk.
Raportimet flasin për 6 viktima dhe 53 të plagosur nga shpërthimi i bombës, bilanc ky që mund të thellohet dhe më tej.