BotaLajme

Stoltenberg: Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë për Ukrainën

Ukraina përballet me muaj të vështirë përpara dhe kapaciteti ushtarak i Rusisë nuk duhet të nënvlerësohet, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai e vlerësoi “guximin e jashtëzakonshëm” të forcave të Ukrainës, të cilat rikthyen kontrollin mbi rajonin e Hersonit, dhe tha se mbështetja ndërkombëtare për Kievin duhet të vazhdojë.

“Muajt e ardhshëm do të jenë të vështirë. Qëllim i [presidentit rus, Vladimir] Putin është ta lërë Ukrainën në të ftohtë dhe në terr këtë dimër”, tha Stoltenberg në një konferencë për media në Hagë.

“Ne nuk duhet të bëjmë gabim dhe ta nënvlerësojmë Rusinë”, tha ai, duke shtuar se forcat ruse “kanë kapacitete të konsiderueshme”, si dhe “një numër të madh trupash”.

Tërheqja e Moskës nga Hersoni “dëshmon guximin e jashtëzakonshëm të forcave të armatosura të Ukrainës”, por tregon edhe “mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën”, tha shefi i NATO-s.

Ushtria ruse mori kontrollin e Hersonit shumë shpejt pasi nisi pushtimin e Ukrainës, në fund të shkurtit.

Pas disa referendumeve të paligjshme që mbajti në shtator, Rusia e aneksoi atë, së bashku me tri rajone të tjera ukrainase.

Por, javëve të fundit, Ukraina shënoi fitore të mëdha në fushëbetejë, duke i vënë forcat ruse nën presion.

Ato u tërhoqën të premten nga Hersoni, ku më pas hynë trupat ukrainase.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se hetuesit kanë zbuluar më shumë se 400 krime lufte në zonat e Hersonit, pas largimit të forcave ruse.

Stoltenberg tha se forcat ruse “kanë dëshmuar brutalitet ekstrem”.

“Keni parë skena të tmerrshme nga territoret e çliruara dhe sulme pa dallim ndaj civilëve dhe infrastrukturës kritike”, u tha Stoltenberg gazetarëve.

Nuk është e qartë nëse ai iu referua Hersonit në mënyrë specifike.

Show More

Related Articles

Back to top button