Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale në vitin 2024.
“Rikthimi i Amerikës fillon pikërisht tani”, u tha Trump mbështetësve në resortin e tij, Mar-A-Lago, në Florida.
Njoftimi vjen një javë pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat përcaktojnë përbërjen e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit amerikan.
Partia Republikane e Trumpit doli më keq seç pritej në këto zgjedhje dhe shumë prej kandidatëve që ai mbështeti, nuk arritën të fitonin.
Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA: Biden feston suksesin e demokratëve
Trump, manjat i pasurive të patundshme, befasoi me fitoren e tij në zgjedhjet e vitit 2016, kur mundi ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.
Ai tha se nuk po garon sërish për shkak të politikës, por për shkak të dashurisë së tij për Shtetet e Bashkuara.
“Për ta bërë Amerikën përsëri të madhe dhe të lavdishme, unë po shpall kandidaturën time për president të Shteteve të Bashkuara”, tha Trump.
Gjatë katër vjetëve në Shtëpinë e Bardhë, Trump bëri histori si presidenti i parë që u akuzua dy herë formalisht.
Herën e parë, ai u akuzua për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit amerikan, por më pas u lirua nga këto akuza.
Herën e dytë, akuzat kishin të bënin me sulmin e mbështetësve të tij kundër Kongresit amerikan, më 6 janar, 2021, në përpjekje për të penguar tranzicionin paqësor të pushtetit te presidenti atëherë i zgjedhur, Joe Biden. Hetimet për këtë ngjarje janë duke vazhduar.