Pas lajmeve për dy të vrarë nga raketa ruse që goditën territorin polak, Polonia vë ushtrinë në gjendje gatishmërie të lartë. BE dhe NATO shprehin solidaritet me Poloninë.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel, shkroi në një postim në Twitter, se ishte “i tronditur” që një raketë apo municion tjetër kishte goditur territorin polak. “Ne jemi në anën e Polonisë”, theksoi Michel. Të njëjtën gjë thanë edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe kryeministri holandez Mark Rutte.
Edhe ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e siguroi gjithashtu Poloninë për mbështetjen e saj. Ajo shkroi në Twitter se mendimet e saj ishin me “aleatin dhe fqinjin e ngushtë” Poloninë. Gjermania është në kontakt të ngushtë me “miqtë e saj polakë dhe aleatët e NATO-s”.
Polonia vë ushtrinë në gjendje gatishmërie të lartë
Polonia siguroi se ështe në kontakt të ngushtë me aleatët për të sqaruar situatën, për dy raketat ruse që goditën Przewodow-in, një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.
Ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkēvičs hodhi idenë që NATO-ja të mbështesë Poloninë dhe pjesë të Ukrainës me një sistem kundërajror, nëse konfirmohen lajmet për raketat ruse që goditën Poloninë./DW