Një incident i rëndë diplomatik ka ndodhur gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm, Nikos Dendias në Libi, teksa qeveria e përkohshme Dbeiba tentoi të fuste në kurth ministrin grek pas mbërritjes së tij në Tripoli, shkruan media helene Prothema.gr.
Episodi ndodhi kur avioni që transportonte Nikos Dendias në Libi u ul në Tripoli në mënyrë që ministri i jashtëm të takohej me presidentin e Këshillit Presidencial libian, Mohamed Menfi.
Fillimisht Tripoli nuk ishte në programin e udhëtimit të Dendias në Libi.
Mirëpo burime nga Ministria e jashtme greke bëjnë të ditur se në prag të vizitës, Menfi kishte kërkuar që ministri grek të ndalonte në Tripoli me një takim me të.
Takimi ishte caktuar me kushtin që vetëm ai të mund të ishte prezent gjatë takimit.
Por në aeroportin e Tripolit, Nikos Dendia u prit nga ministrja e Jashtme e qeverisë së përkohshme të Dbeiba, Naila Mangous, e cila nënshkroi me ministrin e jashtëm turk Mevlut Çavuşoğlu marrëveshjen turko-libiane në tetor, bazuar në “memorandumin” ilegal turko-libian të vitit 2019, i cili është dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.
Pasuan negociatat gjatë të cilave shkalla e fluturimit të avionit me Nikos Dendias nuk u ul kurrë dhe më në fund u vendos që të anulohej vizita në Tripoli dhe të vazhdohej udhëtimi i ministrit të Jashtëm grek në Bengazi për të takuar presidentin e Dhomës së Përfaqësues, Aguila Saleh Issa, si dhe me zyrtarë të tjerë libianë.
Por më pas autoritetet libiane refuzuan të miratonin planin e fluturimit të avionit që transportonte Nikos Dendias në Bengazi.
Më në fund avioni u ngrit me vonesë dhe përmes FIR të Maltës arriti në hapësirën ajrore mbi Libinë lindore për të ulur përfundimisht në Bengazi.
Qëndrimi i Athinës, me të cilin lidhet edhe Egjipti, është se mandati i qeverisë së Tripolit ka skaduar dhe ajo nuk ka legjitimitet të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare që lidhin të ardhmen e vendit, por përkundrazi Misioni i vetëm është të udhëheqë vendin në zgjedhje, të cilat ai vazhdon t’i shtyjë.
Gjatë vizitës në Bengazi Nikos Dendias në emër të qeverisë greke, do të dhurojë vaksina kundër koronavirusit.
Gjithashtu, gjatë qëndrimit në Bengazi, Ministri i Punëve të Jashtme grek do të marrë pjesë edhe në një aktivitet ku do të prezantohet kontributi i Greqisë në një program të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së (World Food Programme) për restaurimin e portit të Bengazit .
Porti, siç theksohet nga Ministria e Punëve të Jashtme greke, është i një rëndësie të veçantë si një portë për ndihmën humanitare për Afrikën Sub-Sahariane për të përballuar krizat ushqimore me të cilat përballet rajoni.
Dendias do të ketë një takim me Presidiumin e Komunitetit Helen të Bengazit.
Diskutimet e ministrit të Jashtëm grek me zyrtarët libianë gjatë vizitës së tij, thekson ministria, “pritet të fokusohen në forcimin e bashkëpunimit midis Greqisë dhe Libisë , gjithmonë bazuar në respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe veçanërisht të ligjit të detit, në marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian – Libi dhe në zhvillimet më të gjera në rajonin e Mesdheut. Gjithashtu pritet të diskutohet baza kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve në Libi sa më shpejt të jetë e mundur”.
© SYRI.net