BotaLajme

SHBA-ja dhe Rusia shtojnë presionin mbi Turqinë për kërcënimet ndaj Sirisë

Presioni ndërkombëtar u shtua të martën ndaj presidentit të Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, me synimin për ta bindur të mos nisë një sulm tokësor kundër luftëtarëve kurdë në Siri.

Të martën, Erdogan tha se Turqia së shpejti do të nisë një operacion ushtarak tokësor në Siri kundër ushtarëve kurdë, pas sulmeve ajrore.

“Dashtë Zoti, ne do t’i çrrënjosim të gjithë së shpejti me tanket, artilerinë dhe ushtarët tanë”, tha Erdogani gjatë një adresimi televiziv.

Ankaraja ndërmori një seri sulmesh ajrore të dielën dhe goditi dhjetëra caqe ushtarake kurde në Irak dhe Siri, duke e quajtur këtë si operacion ushtarak për t’i “mposhtur terroristët”.

Sulmet ajrore ndodhën pas hedhjes së një bombe në Stamboll që la gjashtë persona të vdekur dhe 81 të lënduar. Ankaraja zyrtare fajësoi Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), që është në listën e zezë të SHBA-së dhe BE-së si grup terrorist, për sulmin.

Lideri turk ka kërcënuar që nga maji se do ta nisë një operacion të ri ushtarak në veri të Sirisë dhe i ka intensifikuar këto kërcënime pas sulmit të këtij muaji në Stamboll.

PKK-ja, që ka zhvilluar një kryengritje ndaj shtetit turk që nga viti 1984, mohoi të jetë përgjegjës për bombardimin e 13 nëntorit, i cili ishte më vdekjeprurësi në pesë vjetët e fundit, pas një serie sulmesh në Turqi midis viteve 2015 dhe 2017.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan të hënën në mbrëmje të qetësohet situata që të “mbrohen jetët e civilëve dhe të përkrahim qëllimin e përbashkët për mposhtjen e ISIS-it”, tha Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan, duke iu referuar luftës kundër Shtetit xhihadist Islamik (IS).

Ndërsa Rusia të martën tha se shpreson që Turqia do të jetë “e përmbajtur” dhe nuk do të ketë “përdorim të tepruar të forcës” në Siri.

“Ne i kuptojmë dhe i respektojmë shqetësimet e Turqisë lidhur me sigurinë e saj. Ne prapë bëjmë thirrje për të gjithat palët që të përmbahen nga veprime që mund të çojnë në destabilizim serioz të situatës”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Ndërkaq, Alexander Lavrentyev, i dërguar i veçantë i presidentit rus, Vladimir Putin, në Siri, tha se zyrtarët rusë shpresojnë “se do t’i bindim kolegët turq të përmbahen nga përdorimi i tepruar i forcës në territorin sirian”.

“Rusia ka muaj që ka bërë gjithçka të mundur që të parandalohet çfarëdo operacioni i madh tokësor”, shtoi Lavrentyev.

Në këmbim, Turqia u ka kërkuar aleatëve të saj të mos i përkrahin luftëtarët nga Njësitë e Mbrojtjes së Popullit kurd (YPG), që ndihmuan në fushatën ushtarake të drejtuar nga SHBA-ja kundër IS-it.

“Ne u tregojmë të gjithë bashkëbiseduesve, veçanërisht SHBA-së, se PKK-ja është e barabartë me YPG-në dhe se ne kërkojmë me ngulm që të ndalet plotësisht përkrahja e terroristëve”, tha ministri i Mbrojtjes në Turqi, Hulusi Akar.

Turqia i ka kryer tri sulme në Siri që nga viti 2016, me qëllim mposhtjen e luftëtarëve kurdë sirianë, të cilët i akuzon se kanë lidhje me PKK-në.

Erdogani ka kërkuar disa herë që të krijohet një “zonë sigurie” prej 30 kilometrash për ta mbrojtur pjesën jugore të Turqisë nga sulmet kufitare nga territori sirian.

Të paktën tre njerëz, përfshirë këtu një fëmijë, u vranë në një qytet kufitar në Turqi të hënën pasi një sulmi me raketë nga Siria.

Anthony Skinner, ekspert i Turqisë, tha për AFP-në se ekzistojnë kushtet për një “fushatë veçanërisht të fuqishme” kundër ushtarëve kurdë para zgjedhje presidenciale dhe parlamentare në Turqi, në qershor.

“Erdogani i kishte përdorur me efikasitet kartat e sigurisë dhe stabilitetit gjatë rikandidimit në vitin 2015. Por, puna e tij është vështirësuar tani për shkak të presioneve ekonomike dhe socioekonomike”, tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button