BotaLajme

Eksporti gjerman shënon rënie drejt Kinës dhe Rusisë

Eksportet gjermane drejt Rusisë dhe Kinës ranë ndjeshëm në tetor, treguan të martën të dhënat paraprake nga zyra e statistikave.

Eksportet gjermane drejt Rusisë janë më shumë se përgjysmuar në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke rënë në një miliard euro, njoftoi Destatis në një raport paraprak mbi eksportet në grupin e “vendeve të treta”.

Eksportet drejt Kinës ranë me rreth tetë për qind, në 8.6 miliardë euro, duke reflektuar politikën e rreptë të tolerancës zero të Kinës ndaj Covid-19 që ndikoi në aktivitetin ekonomik, vlerëson Destatis.

Eksportet drejt SHBA-ve, destinacioni kryesor, u rritën ndjeshëm me 28 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, në 13.9 miliardë euro. Rritja është ende më e butë se në shtator, kur u rrit me 43.7 për qind në bazë vjetore.

Eksportuesit përfitojnë nga një euro më e dobët kundrejt dollarit, gjë që i bën mallrat e tyre më të lira për blerësit amerikanë.

Eksportet drejt Britanisë së Madhe gjithashtu u rritën ndjeshëm në muajin tetor me bazë vjetore, me 10.2 për qind.

Të rregulluara për efektet kalendarike dhe sezonale, eksportet gjermane drejt vendeve jashtë BE-së ranë me 1.6 për qind në tetor në krahasim me shtatorin, kur u rritën me një për qind. Vlera e eksporteve ishte 61.2 miliardë euro muajin e kaluar

Krahasuar me tetorin e vitit të kaluar, ajo u rrit me 15 për qind sipas kalendarit dhe të dhënave të rregulluara sezonale, pas një kërcimi prej 20.3 për qind në shtator.

Show More

Related Articles

Back to top button