Pas sulmeve ajrore turke kundër pozicioneve kurde në Siri, Moska i bëri thirrje Ankarasë të heqë dorë nga “përdorimi i tepruar i forcës”. Ministria e Brendshme gjermane Faeser paralajmëroi për përshkallëzim të situatës.
Përballë ofensivës së re ushtarake të Turqisë në Siri dhe Irak, Rusia i ka kërkuar Ankarasë të tregojë përmbajtje. “Ne shpresojmë të jemi në gjendje të bindim partnerët tanë turq që të përmbahen nga përdorimi i tepruar i forcës në territorin sirian pavarësisht gjithçkaje,” tha përfaqësuesi presidencial rus për Sirinë Alexander Lavrentiev në kryeqytetin e Kazakistanit Astana, sipas agjencisë së lajmeve Interfax. Aty ishin planifikuar bisedime të reja në të ashtuquajturin format Astana me Rusinë, Turqinë dhe Iranin.
Lavrentyevi konfirmoi gjithashtu se Moska nuk ishte informuar paraprakisht për sulmet ajrore turke. “Ne sigurisht do t’u kërkojmë kolegëve tanë turq të ushtrojnë përmbajtje për të shmangur një përshkallëzim të tensioneve jo vetëm në Sirinë veriore dhe verilindore, por edhe në të gjithë Sirinë,” shtoi ai.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha pak më vonë se Moska me siguri mund t’i kuptojë “shqetësimet e Turqisë për sigurinë e saj”. “Në të njëjtën kohë, ne kërkojmë nga të gjitha palët që të përmbahen nga marrja e masave që mund të çojnë në destabilizimin serioz të situatës”, citohet të ketë thënë Peskovi nga Interfax. Për sa i përket situatës në Siri, ka gjithmonë “nuanca, ndonjëherë edhe dallime mendimesh” midis Rusisë dhe Turqisë, pranoi ai.
Turqia ka ndërmarrë sulme ndaj pozicioneve që nga e diela
Që nga e diela, Turqia ka ndërmarrë sulme në Siri dhe Irak kundër pozicioneve të milicëve kurdë, të cilat i konsideron përgjegjëse për një sulm të kryer më 13 nëntor në qendër të Stambollit. Rajonet e sulmuara janë nën kontrollin e milicisë kurde siriane YPG. Kurdët mohojnë përgjegjësinë për shpërthimin e Stambollit, ashtu si edhe Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Kjo është tashmë ofensiva e pestë ushtarake e Turqisë në Sirinë veriore, një vend në luftë civile, ku trupat turke pushtojnë zona pranë kufirit dhe bashkëpunojnë me grupet kryengritëse. Rusia, nga ana tjetër, mbështet presidentin sirian Bashar al-Assad.
Faeser paralajmëron për përshkallëzimin e dhunës
Ministrja e Brendshme gjermane Nancy Faeser gjithashtu i bëri thirrje Turqisë, pas ofensivës në Siri dhe Irak, që të shmangë një përshkallëzim të dhunës. Gjermania qëndron përkrah Turqisë në luftën kundër terrorizmit, “por reagimi duhet të jetë përpjesëtimor”, tha Faeser në Ankara gjatë një takimi me homologun e saj turk Süleyman Soylu. Ajo kërkoi respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e civilëve.
Turqia e konsideron YPG-në një degë të PKK-së. Kjo parti konsiderohet organizatë terroriste në Gjermani, gjë që nuk vlen për YPG-në.
Aktivistët: Sulm kundër një baze të bashkëpërdorur nga Shtetet e Bashkuara
Ndërkohë, Turqia ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara të ndalojnë mbështetjen e milicisë kurde siriane YPG. “Ne tërheqim vëmendjen e të gjithë partnerëve tanë, veçanërisht të Shteteve të Bashkuara, për faktin se YPG është ekuivalenti sirian i PKK-së dhe u kërkojmë shprehimisht atyre që të ndalojnë çdo mbështetje për terroristët”, tha ministri turk Hulusi Akar.
Milicia YPG mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe luajti një rol vendimtar në dëbimin e milicisë xhihadiste të Shtetit Islamik (IS) nga Siria dhe gjithashtu nga qyteti Kobane.
Sipas aktivistëve, dy luftëtarë kurdë vdiqën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë në një sulm të ri me dron në një bazë ushtarake. Baza përdoret bashkërisht nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA dhe luftëtarët kurdë, tha Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut. Ofensivat kundër ISIS-it kryhen nga baza afër qytetit Al-Hasaka.
Erdogan lë të kuptohet për një ofensivë të mundshme këmbësorie
Sipas ushtrisë turke, 184 “terroristë janë neutralizuar” që nga fillimi i ofensivës së re ushtarake në Siri dhe Irak. Qeveria turke dhe forcat e armatosura zakonisht përdorin këtë term për t’iu referuar edhe grupeve kurde. Ministria turke e Mbrojtjes përmendi sulmet ajrore dhe tokësore gjatë natës. Numri i viktimave të përmendura nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut kishte raportuar për të paktën 35 vdekje – përfshirë civilë – pas ofensivës së re ushtarake. Në provincën e Gaziantep, në juglindje të Turqisë, tre persona u vranë nga të shtënat me armë nga Siria.
Turqia thërret ambasadorin suedez
Marrëdhëniet me YPG-në dhe PKK-në janë gjithashtu një burim tensioni në një nivel tjetër. Ministria e Jashtme turke raportohet se thirri ambasadorin suedez në Ankara. Agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu raportoi, duke cituar burime diplomatike, se një incident ka ndodhur në ambasadën turke në Stokholm.
Pamje që përmbajnë “propagandë terroriste” dhe përmbajtje fyese ndaj Presidentit Erdogan u projektuan në ndërtesën e përfaqësisë së Ankarasë në Suedi. Grupet e afërta me PKK-në, Partinë e ndaluar të Punëtorëve Kurdë, besohet se qëndrojnë prapa këtyre pamjeve. Ambasadori Staffan Herrström tha se do të ndërmarrë hapat e nevojshëm, shkruan Anadolu.
Ministria e Jashtme suedeze ka konfirmuar për agjencinë suedeze të lajmeve TT një takim mes ambasadorit të Stokholmit dhe Ministrisë së Jashtme turke. Ministria nuk pranoi të japë detaje. Ankaraja aktualisht po bllokon pranimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, duke marrë si shkas ndër të tjera në mbështetjen e pretenduar të këtyre dy vendeve ndaj milicisë kurde siriane YPG. Ankaraja kërkon ndër të tjera ekstradimin e disa personave nga kandidatët e NATO-s. Sipas Turqisë, disa prej tyre janë të afërt me PKK./DW/