Revoltën e punonjësve të dy ndërmarrjeve private të qarkullimit publik në kryeqytet, Danella Arsovska e quan si mburojë e dy drejtorëve që duan të fshehin skemën e zhvatjes së parave nga buxheti i Shkupit. Ajo shpreh keqardhje për të punësuarit që sipas saj po keqpërdoren për të ngritur tensione në opinion që kur Qyteti ka nis revidimin e punës së tyre. Arsovska tha se “Slloboda Vravoz” dhe “Mak-Express” kanë shitur biletat, ato para nuk i kanë raportuar, i kanë futur në xhep dhe pastaj kanë faturuar 400 mijë euro prej xhirove nga NQP Shkup çdo muaj.
“Tregtarët privatë, sipas nenit 5 të kontratës së tyre, kanë obligim që biletat e shitura t’i konfirmojnë me llogari fiskale, dhe t’i vërtetojnë në sistemin e integruar me NQP Shkup. Kur e bëjnë këtë, nga shuma totale që NQP Shkup i detyrohet për një kilometër të kaluar, zbritet shuma që kanë bërë transportuesit privatë nga biletat e shitura. Më vjen keq që do t’i zhgënjej, por as unë, as Qyteti i Shkupit dhe as NQP nuk do të jemi aleatë në krimin që po vazhdon që nga viti 2017”, tha Danella Arsovska, Kryetare e Qytetit të Shkupit.
Por, reagojnë krerët e këtyre dy ndërmarrjeve, duke thënë se nga Qyteti i Shkupit duan të përçajnë të punësuarit e revoltuar në përpjekje për të hedhur fajin e keq menaxhimit diku tjetër. Lenin Jovanovski tha se opinioni duhet t’i dijë arsyet e vërteta të shfaqjes së kaosit në komunikacion.
“Absolutisht nuk kemi asnjë qasje në mjetet e biletave të shitura, sipas sistemit që funksionon prej vitesh kjo është kompetencë e Ndërmarrjes për Qarkullim Publik e cila është në kuadër të Qytetit të Shkupit. Nëse ata për një vit punë nuk kanë arritur të kuptojnë këtë që e dëshmon Kryetarja e Shkupti,, janë vetëm fjalë të kota dhe shpifje, për të cilat mendoj se duhet të bartë përgjegjësi”, deklaroi Lenin Jovanovski, Drejtor i NQP “Sllaboda Prevoz”.
Kryetarja e Shkupit theksoi se “NQP Shkupi lidh marrëveshje me transportuesit privatë, në rastin e “Mak-Express” dhe “Slloboda Prevoz”, në bazë të të cilave NQP ka obligim t’i paguajë transportuesit privatë nga një euro, dhe tani pas rritjes së derivateve, 1.5 euro për kilometër të përshkuar. Ky obligim kushton rreth 24 milionë denarë në muaj, por nga kjo shumë duhet të zbritet shuma që transportuesit privatë e kanë bërë nga shitja e biletave të vozitjes”. Sipas saj këtu ka vepër penale edhe për evazion fiskal./Alsat.mk