Në vendin tonë, sipas statistikave çdo e treta grua është viktimë e dhunës në familje. Ndërsa pas gjendjes me virusin korona, situata dhe pozita e grave është shumë më shqetësuese. Numrat e dhunës në familje janë bërë publike nga ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, me rastin e ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore. Statistikat e fundit të publikuar nga institucionet shtetërore janë një tregues se në vendin tonë kemi një dhunë sistematike në familje, sidomos ndaj grave dhe fëmijëve. Sipas Rrjetit Kombëtar Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, që nga nëntori 2020, ka pasur katër vrasje të grave. Në të gjitha këto raste paraprakisht është raportuar dhunë, por nuk ka pasur reagim adekuat për mbrojtjen e viktimave nga ana e institucioneve.
PARA TRAJTIMIT TË PARANDALOHET DHUNA
Ministri Spasovski, gjatë një konference deklaroi se që nga fillimi i vitit deri në tetor, policia ka regjistruar 809 vepra penale në fushën e dhunës në familje, nga këta 836 persona janë denoncuar penalisht, ndërsa janë regjistruar 863 viktima, prej tyre 669 gra, kryesisht bashkëshorte, nëna dhe vajza. “Këtyre treguesve për të njëjtën periudhë duhet t’u shtohen edhe 290 kundërvajtje të konstatuara dhe sanksionuara dhe 3.131 parashtresa ndaj familjarëve, ku 68 për qind e viktimave të keqtrajtimit mendor, fizik apo ekonomik janë gra”, tha Spasovski. Ai konsideron se përmes prizmit të praktikës policore janë arritur rezultate të mira në “çrrënosjen” e problemit dhe sanksionimin e këtyre krimeve, por edhe se ka ende shumë punë për parandalimin dhe zgjidhjen e tij. “Represioni ligjor nuk mund të jetë një zgjidhje bazë dhe përfundimtare e problemit, por vetëm një hallkë, pjesë e një mozaiku më të madh mekanizmash, roli i të cilëve është zbulimi dhe zgjidhja e gjenezës, dhe paralelisht me atë, risocializimi i viktimave dhe rehabilitimi i dëmin e bërë”, thotë ministri.
Nga ana tjetër, aktivistja për të drejtat e njeriut dhe kryetarja e “Mollëkuqes”, Rita Behadini, për gazetën KOHA, ka deklaruar se rritja e numrit të raportimeve të dhunës në familje nuk do të thotë domosdoshmërish rritje e dhunës, përkundrazi ndonjëherë kjo rritje do të thotë që njerëzit po vetëdijesohen që ta raportojnë dhunën. “Problemi thelbësor në institucionet tona është mos-trajnimi i stafit për atë se si të ballafaqohen me raportime të dhunës në familje. Duhet me patjetër së pari të trajnohen policët të cilët dalin në terren, personat që pranojnë raportimet e dhunës në polici dhe personat që punojnë nëpër linjat e raportimit”, deklaroi Beadini. Sipas saj, dhuna në familje ka ekzistuar dhe ekziston, ne duhet të mësojmë se si të përballemi në kohën tonë me të dhe si të krijojmë mekanizma për parandalimin e saj. Sipas saj, nuk duhet trajtuar vetëm viktimën, por edhe dhunuesin që nesër do të gjejë një tjetër viktimë. “Kultura e dhunës është e zhytur thellë në mendësinë patriarkale të Ballkanit, andaj duhet punuar fort për ndërgjegjësim, në mënyrë që këto raste të mos trajtohen si ‘raste tradhtie’, ‘e ka lyp’, ‘çka ka pas veshur’, ‘kush e di çka i ka thënë’”, nënvizoi Behadini.
NUMRAT “GRI” MUND TË JENË MË SHQETËSUESE
Ndryshe, nga gjithsej 26 vrasje të grave, të kryera në vendin tonë nga viti 2017 deri në vitin 2020, 22 janë cilësuar si vrasje femicide, duke qenë se autorët kanë qenë partnerë aktual ose ish-partnerë ose anëtarë të tjerë të familjes së viktimës. Statistikat nuk tregojnë rritje të rasteve të reja të regjistruara në lidhje me dhunën në familje gjatë pandemisë, por ekziston frika se ka një “numër gri” rastesh, të cilat nuk raportohen fare. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në vitin 2020 nuk ka pasur rritje të ndjeshme të numrit të krimeve të lidhura me dhunën në familje krahasuar me vitin 2019. Nëse në vitin 2019 janë regjistruar 989 krime, kurse në vitin 2020 janë regjistruar 992 raste. Përqindja e lartë e grave viktima të dhunës në familje mbetet në 81% ose 85%. E rëndësishme është rritja e numrit të ankesave për dhunë në familje në vitin 2020, veçanërisht në gjysmën e parë të vitit, kur u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe ditët e karantinës. Është shënuar një rritje prej 25% krahasuar me vitin 2019. Për të njëjtën periudhë të vitit 2020, policia ka regjistruar 1935 denoncime dhe në vitin 2019 numri i ankesave për dhunë në familje ka qenë 1541. Në nivel të gjithë vitit 2020 janë regjistruar 3761 ankesa, ndërsa në vitin 2019 – 3196 raste, që paraqet një rritje prej 18% në nivel vjetor. /koha/