Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten mbrëma se kryeministri Albin Kurti, ka marrë ftesë nga homologu i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Kurti i është përgjigjur negativisht kësaj ftesë përmes një letre drejtuar Kovaçevskit, ku ka shpjeguar arsyet e refuzimit.
Sipas tij, Kosova e mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtar.
Ndaj, ai ka thënë se Kosova është e angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.
“Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme”, thuhet në letrën e Kurtit.
“Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike”.
“Pasi që jemi takuar disa herë, unë besoj fuqishëm se këto janë vlerat që duam të ndjekim në rajonin tonë, për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë”.
Sipas Kurtit, këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operohet me rregullat e dhe vlerat e BE-së dhe ku punohet për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
“Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”, thuhet tutje në letër.
“Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës”./Telegrafi/