Hungaria shpreson që të arrijë marrëveshje me autoritetet e Bashkimit Evropian deri në fund të vitit, në mënyrë që të ketë qasje në miliarda dollarë të fondit për rimëkëmbje nga pandemia.
Komisioni Evropian ka ngrirë qasjen e Hungarisë dhe Polonisë në disa fonde të BE-së për shkak të qëndrimeve të këtyre dy shteteve ndaj migrimit, diskriminimit kundër grave dhe pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe kufizimeve ndaj mediave dhe sundimit të ligjit.
Ministri hungarez për Çështje të BE-së, Tibor Navracsics, tha për agjencinë shtetërore të lajmeve hungareze, MTU, se Budapesti do të bëjë gjithçka që mundet për të nënshkruar planin për rimëkëmbjen e Hungarisë “në pjesën e dytë të vitit, deri në fund të vitit”.
Ai shtoi se procesi që do të çojë drejt nënshkrimit të marrëveshjes është “i komplikuar”, duke u shprehur më pak optimist sesa deklaratat që u bën të martën në Hungari, përmes së cilave u la të kuptohet se negociatat ishin në fazën e fundit.
Hungaria fillimisht kishte kërkuar 7.2 miliardë euro grante nga fondi i BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia e koronavirusit, por pas pushtimit rus të Ukrainës, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, sinjalizoi se ai planifikonte të merrte kredi me norma të ulëta përmes këtij programi.
Më 1 qershor, Komisioni Evropian miratoi miliarda dollarë fonde për rimëkëmbjen për Poloninë./REL/