Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar pret që Rusia të marrë kontrollin e të gjithë regjionit të Luhanskut në Ukrainën lindore brenda dy javëve të ardhshme, sipas raportit të fundit nga inteligjenca britanike.
Në raport, ministria tha se pas dështimit të kapjes së Kievit, Moska ka ndërruar strategjinë e saj në Ukrainë duke u fokusuar në Donbas, pjesë e Ukrainës lindore që është e përbërë nga regjionet e Luhanskut dhe Donetskut.
Dy pjesët e Donbasit janë mbajtur nga separatistët e mbështetur rusë që nga viti 2014. Ato janë bërë të njohura si Republikat Popullore të Luhanskut dhe Donestskut dhe përbëjnë një të tretën e të gjithë zonës së Donbasit.
Qeveria ukrainase vlerëson se dy regjionet, në parim, janë të okupuara përkohësisht nga Rusia. Republikat e vetëshpallura nuk janë njohur nga asnjë qeveri, përveç Rusisë dhe aleatit të saj të afërt, Sirisë, dhe qeveria Ukrainase ka refuzuar me vendosshmëri të bisedoj direkt me liderët e zonave.
“Rusia tani është duke arritur suksese taktike në Donbas. Forcat ruse kanë gjeneruar dhe kanë mbajtur momentumin dhe tani duket se kanë iniciativën ndaj forcave ukrainase”, thuhet në raportin e inteligjencës britanike. /Periskopi/