Kombet e Bashkuara thanë se pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës është shkelje e Kartave të OKB-së dhe se konflikti, që tani ka hyrë në ditën e 100-të, “ka marrë jetën e një numri të papranueshëm” të njerëzve.
“Kjo luftë nuk do të ketë fitues. Në vend të kësaj, ne kemi qenë dëshmitarë se çfarë është humbur këto 100 ditë: jetë, shtëpi, punë dhe prospekte”, tha Amin Awad, ndihmëssekretar i Përgjithshëm dhe koordinator i OKB-së për krizën në Ukrainë.
“Kjo luftë ka marrë jetën e një numri të papranueshëm të njerëzve dhe prekur pothuajse të gjitha aspektet e jetës civile”, shtoi Awad.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha më 2 qershor se Moska tani kontrollon 20 për qind të territorit ukrainas, përfshirë Krimenë, të cilën e ka aneksuar më 2014.
“Në këto 100 ditë, pothuajse 14 milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga shtëpitë, shumica prej të cilëve janë gra dhe fëmijë”, u tha në deklaratën e OKB-së.
OKB-ja tha se po punon për të kufizuar ndikimin “shkatërrues të luftës në sigurinë ushqimore duke tentuar që të zhbllokojmë eksportet kritike të drithërave”.
Çmimet ushqimore janë rritur për shkak të rënies së eksporteve nga Ukraina, e cila është një prej prodhueseve më të mëdha në botë.
“Përpjekjet tona të pareshtura për përgjigje ndaj ndikimit shkatërrues të luftës do të vazhdojnë”, u tha në deklaratë.
“Por, mbi të gjitha na duhet paqe. Lufta duhet të përfundojë tani”./R.E.L/