Putin: Perëndimi po shfrytëzon Ukrainën dhe po përdor popullin e saj si “mish për top” për të ruajtur dominimin politik
Forcat ruse kanë instaluar raketahedhës të shumtë në centralin bërthamor të mbyllur të Ukrainës, Zaporizhzhia duke rritur frikën se termocentrali më i madh atomik në Evropë mund të përdoret si bazë për të qëlluar në territorin ukrainas dhe për të rritur rreziqet nga rrezatimi.
Kompania bërthamore e Ukrainës në një deklaratë bëri të ditur se forcat ruse që pushtuan centralin kanë vendosur disa raketa-hedhës të shumëfishtë Grad pranë një prej gjashtë reaktorëve të saj bërthamorë. Ai tha se sistemet sulmuese janë të vendosura në “strukturat e reja mbrojtëse” që rusët ndërtuan fshehurazi, “duke shkelur të gjitha kushtet për sigurinë bërthamore “.
Presidenti Vladimir Putin ka dhënë deklarata kontradiktore për qëllimet e luftës, por tani është e qartë se qëllimet përfshijnë një zgjerim të kufijve të Rusisë . Kreu i Kremlinit përsëriti akuzat e tij se Perëndimi po “shfrytëzon” Ukrainën dhe po përdor popullin e saj si “mish për top një video-mesazh drejtuar një samiti të ministrave të mbrojtjes nga Organizata e Bashkëpunimit të Shangait dhe një grupi shtetesh ish-sovjetike.
“Potenciali për konflikt në botë po rritet dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e përpjekjeve të elitave perëndimore për të ruajtur me çdo mjet dominimin e tyre politik, financiar, ushtarak dhe ideologjik. Ata qëllimisht shumëfishojnë kaosin dhe përkeqësojnë situatën ndërkombëtare”, ka thënë Putin.
Minat tokësore ruse vazhdojnë të vënë në rrezik jetët e ukrainasëve. Tani, gati 10 muaj pas pushtimit, më shumë se një e katërta e vendit duhet të kontrollohet për mina. Volodymyr Zelenskiy i ka cilësuar minat tokësore të lëna pas nga trupat ruse “ndoshta edhe më të egra dhe më dredharake se terrori raketor”.
Ndërkaq forcat ruse kanë bombarduar të gjithë vijën e frontit në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore. Luftimet më të ashpra ishin pranë qyteteve Bakhmut dhe Avdiivka ku pesë civilë u vranë dhe dy u plagosën në pjesët e kontrolluara nga ukrainasit në Donetsk.
“Rusët kanë intensifikuar përpjekjet e tyre në Donetsk dhe Luhansk. Ata janë tani në një fazë shumë aktive të përpjekjes për të kryer operacione sulmuese. Ne nuk po përparojmë askund, por, përkundrazi, po mbrojmë, shkatërrojmë këmbësorinë dhe pajisjet e armikut kudo që ai përpiqet të përparojë”, tha këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych në një postim video. Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA miratoi një projekt-ligj për mbrojtjen që i siguron Ukrainës të paktën 800 milionë dollarë ndihmë shtesë për sigurinë vitin e ardhshëm.