– Me iniciativë të Biljana Angelova, bashkëshorte e ambasadorit bullgar në vend, si pjesë e fushatës “Stop dhunës në familje. Jeta është e IMJA!”, sot në mesditë në sheshin e qytetit në Shkup dhe në sheshet dhe vendet publike nëpër qytete të vendit, për të dytin vit radhazi do të mbahet tubim i shkurtër me të cilin shënohet përkrahja për viktimat e dhunës në familje.
Në ngjarjen, si pjesë e fushatës së sivjetme, do t’i paraprijë një konferencë që do të mbahet në ambientet e Komunës së Çairit. Në kuadër të konferencës do të diskutohet kjo temë sociale dhe ky problem i madh shoqëror, ndërsa me video fjalim në këtë temë do të ketë paraqitje edhe eurodeputeti bullgar, Ilhan Quçuk.
Me iniciativën, Angelova përkujton se që të mund një vend të luftojë me sukses dhunën në familje, nevojitet punë e vazhdueshme në shumë aspekte – nga inkurajimi i viktimave që të luftojnë për veten dhe të drejtat e tyre dhe të largohen nga mjedisi i dhunshëm; përfshirja e popullatës së përgjithshme në ndërgjegjësimin për temën dhe duke njohur thirrjen për ndihmë përmes simbolit; deri te Institucionet funksionale që do të punojnë në mënyrë të vazhdueshme për parandalimin dhe do të përfshihen aktivisht në mbrojtjen dhe mbështetjen e grave për riintegrimin e tyre në jetën shoqërore përmes fuqizimit psikologjik dhe ekonomik.
“Çdo vit jemi dëshmitarë të një lufte intensive aktive kundër dhunës në familje që zgjat 16 ditë. Fatkeqësisht, dhuna nuk është vetëm 16 ditë në vit, por 365 ditë – dhe jo vetëm ndaj grave, por edhe ndaj fëmijëve dhe burrave. I tillë është rasti edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Bullgari dhe Kosovë. Më vjen mirë që këtë vit nisma është njohur nga një numër i madh i institucioneve, autoriteteve, kompanive dhe individëve. Në këtë mënyrë, me pjesëmarrje të shtuar, çdo ditë, 365 ditë, së bashku mund të jemi pjesë e ndryshimit që duam të shohim dhe të krijojmë për brezat e ardhshëm”, deklaroi Angelova.
Imrane Morina, e cila këtë vit punon së bashku me Angelovën për të sensibilizuar këtë temë, thotë se çdokush mund të jetë viktimë e dhunës në familje – pa dallim të moshës, gjinisë, përkatësisë etnike, arsimit, profesionit, statusit.
“Viktima janë zakonisht ato që më së paku do të mendoni se janë viktima, në shumicën e rasteve duke u maskuar dhe kamufluar me sukses në shoqëri. Është e rëndësishme që të punojmë së bashku për të edukuar brezat e ri se si të njohin sjelljen karakteristike të një dhunuesi në takimet e para, por edhe për të mbështetur viktimat – si individualisht ashtu edhe institucionalisht. T’i inkurajojmë dhe t’i mbështesim që të ndalojnë së jetuari jetën e dhunuesit të tyre, sepse është jeta e tyre”, theksoi Morina.
Fushata është mbështetur nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale si dhe nga ambasada e Bullgarisë dhe e Kosovës dhe ambasada e Bashkimit Evropian në Maqedoni, si dhe nga një numër i madh i individëve dhe kompanive.