Të gjithë pranojnë se ka korrupsion, por askush nuk merr përsipër nisjen e çrrënjosjes. Edhe një strategji e re në luftën kundër korrupsionit e hartuar nga institucionet relevante shtetërore, me gjasë do të mbetet në letër sikurse legjislativi aktual. Nga Këshilli Gjyqësorë thonë se duhet qytetarët të denoncojnë aferat korruptive, kurse nga Këshilli Prokurorëve thonë se Prokuroria për Krim të Organizuar dhe Korrupsion duhet të bëj punën e saj. Kryetarja e sapo zgjedhur e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva pranon se deri më tani Këshilli Gjyqësor ka marrë vetëm një vendim për shkarkimin e gjykatësit për korrupsion dhe për këtë rast provat janë marrë nga qytetarët.
“Për të ndërmarr veprime Këshilli Gjyqësor, duhet të ketë dëshmi dhe fakte, ndërsa këto duhet të na mundësojnë qytetarët, palët janë ato që duhet patjetër të na thonë se nëse një gjykatës i caktuar ka marr ryshfet, deri më tani kjo nuk ka ndodh me dëshmi, më të shpeshta janë indiciet paushallë dhe në këto raste Këshilli Gjyqësor dorëzon njoftim në Prokurorinë Publike”, deklaroi Vesna Dameva, Kryetare e Këshillit Gjyqësor.
Nga Instituti për Politika Evropiane theksojnë se vlerësimi i përgjithshëm për strategjinë aktuale është se masat e planifikuara janë zbatuar pjesërisht, por ka ende shumë hapa për përmbushjen e synimeve strategjike të shtetit.
“Kjo strategji sigurisht do të sjell ndryshime në pjesën e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit, legjislacioni ynë ekziston, pasi që BE nuk ka rregulla të qarta, ne duhet patjetër të krijojmë brenda praktikën rregullave më të mira të BE-së”, tha Simonida Kacarska, Instituti për Politikë Evropiane.
Kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Antonio Jolevski, pohon se prokurorët kanë luftuar kundër korrupsionit, por mungesa e transparencës po i pengon të dalin në pah arritjet e tyre. Për rezultatet jo të kënaqshme, Jolevski përgjigjet se nuk ka prokurorë të mjaftueshëm. Ai pranoi se ka problem me korrupsionin, por shpreson te kreu i sapo zgjedhur i Prokurorisë për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin Islam Abazi. Në fakt mënyra e zgjedhjes së tij u kritikua nga ndërkombëtarët. /Alsat.mk