Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti e kanë nënshkruar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Krerët e shtetit e kanë vlerësuar këtë si ditë historike dhe si një lëvizje drejt jetësimit të ëndrrës së kamotshme të popullit të Kosovës.
Lidhur me këtë, për Gazeta Blic, ka folur ish ministrja e integrimeve, Mimoza Ahmetaj.
Ajo thotë se ky aplikim është vullnet i qytetarëve të Kosovës dhe se ajo do të donte që prej kohësh Kosova të ishte anëtare e BE-së.
“Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE është shprehje e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, ku më tepër se 90% e qytetarëve të vendit janë “pro” anëtarësimit në BE. Do të doja që Kosova shumë moti të ishte anëtare e BE-së sepse integrimi në BE nënkupton stabilitet politik, perspektivë ekonomike, si dhe siguri më të madhe për neve dhe gjithë rajonin”, thotë Ahmetaj.
Ajo thekson se aplikimi i sotëm është për marrjen e “statusit kandidat”, teksa përmend se Kosova e ka nënshkruar MSA-në që është udhërrëfyes për procesin e integrimit dhe se pika kryesore e MSA-së është dialogut, rrjedhimisht arritja e marreveshjes me Serbine.
Pra, arritja e marreveshjes nënkupton përshpejtim të Kosovës në procesin integrues. Në situatën e tanishme, ne jo vetëm që nuk kemi avancuar por jemi në krizë të thellë në vend sa i përket arritjes së marrëveshjes me Serbinë si dhe integrimit të serbëve dhe veriut. Madje, ne asnjëherë që nga koha e shpalljes së pavarësisë nuk kemi pasur kaq shumë kriza dhe përçarje brenda vendit”, thekson ish ministrja.
Ambasadorja Ahmetaj vlerëson se aplikimi pa koordinim me shtetet anëtare të BE-së është i destinuar për të dështuar apo mbetur pezull dhe si i tille do të mbetet vetëm në sirtar.
“Aplikimi unilateral pa koordinim me shtetet anëtare të BE-së është barazi me zero dhe i destinuar për të dështuar apo mbetur pezull, Derisa ne nuk e kemi një shtet sponsor si dhe përkrahjen unanime brenda Brukselit, kjo gjë do të mbetet vetëm në sirtar. Per marrjen e0 statusit kandidat kerkohet votim unanim brenda shteteve antare te BE dhe perkrahje unanime e te gjitha institucioneve ne BE. Sa për shembull po e përmend Bosnje dhe Hercegovinën, e cila ka aplikuar në vitin 2016 dhe tek tani ne dhjetor mund ta marrë statusin kandidat me disa kushte percjellese per tu plotesuar”, shton tutje.
Ahmetaj përmend rastin e aplikimit të Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë.
“Për status kandidat kanë aplikuar edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia por BE ia dha statusin kandidat vetëm Ukrainës dhe Moldavisë, ndërsa Gjeorgjinë nuk e pranoi. Vendimi për Ukrainën dhe Moldavinë ishte politik si përgjigje ndaj Rusisë”, potencon ajo për Gazeta Blic.
Sipas saj, arroganca dhe injoranca e qeverisë në këto dy vite dhe krijimi i kizave e kanë acaruar partneritetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare.
“Do të mund të kishte qenë vendim politik edhe për Kosovën, jo që Kosova nuk e meriton por injoranca dhe arroganca e Qeverisë për këto dy vite dhe krijimi i krizave të njëpasnjëshme në vend në emër të popullzimit e ka acaruar partneritetin e Kosovës në skenën ndërkombëtare”, deklaron Ahmetaj.
Madje, sipas ish ministres, “Ky aplikim është vendim i Qeverisë për ta shkëputur vëmendjen nga krizat e brendshme ekonomike, politike, sociale dhe nderkombetare qe i ka prodhuar ne keto dy vite qeverisje. Si rrjedhoj dosja jone do të mbetet aty derisa të shkojë kjo qeveri dhe të krijohen rrethana të tjera që të procedohet më tutje. Kjo qeveri nuk ka kredibilitet per te shtyer agjenda kaq te rendesishme per vendin”.
“Për ta vërtetuar këtë, shembulli më i mirë është aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës, në maj 2022, që nuk ka bërë asnjë hap në procesin më tutje për shkak të acarimit të raporteve të Kosovës me shtetet në Evropë, ani pse Kosova në kohën e aplikimit i kishte rrethanat shumë të favorshme. Aplikimi në këtë kohe është për nevoja të brendshme. Aplikimi është vendim politik, por fatkeqësisht politika e Qeverisë së Kosovës është duke shkuar në drejtim të kundërt me ambiciet e popullit si dhe me orientimin euroatlantik te vendit”, përfundon Mimoza Ahmetaj./Gazeta Blic/