BotaLajme

Senati amerikan miraton buxhetin rekord të mbrojtjes prej 858 miliardë dollarësh

Senati i Shteteve të Bashkuara e ka miratuar legjislacionin për ndarjen e shumës rekorde prej 858 miliardë dollarësh për shpenzime vjetore të mbrojtjes, 45 miliardë më shumë se shuma e propozuar nga presidenti Joe Biden.

Senatorët e përkrahën Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, projektligj vjetor me të cilin përcaktohen politikat e Pentagonit, me shumicën dërrmuese: 83 për, 11 kundër. Projektligji e mori përkrahjen e të dyja partive.

Nga senatorët që votuan kundër këtij buxheti, janë disa liberalë që ankohen për buxhetin gjithnjë në rritje të ushtrisë dhe disa konservatorë që duan kontroll më të ashpër ndaj shpenzimeve, raporton agjencia “Reuters”.

Pasi legjislacioni u miratua në Dhomën e Përfaqësuesve javën e kaluar, tash do t’i dërgohet Shtëpisë së Bardhë, ku presidenti Biden pritet ta nënshkruajë së shpejti për ta bërë zyrtarisht ligj.

Me Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare lejohet shpenzimi i 858 miliardë dollarëve për nevoja ushtarake. Në këtë shumë përfshihen rritja e pagës për 4,6 për qind për ushtarët, financimi i blerjes së armëve, anijeve e aeroplanëve si dhe përkrahja për Tajvanin, kur ishulli po ballafaqohet me agresionin nga Kina, dhe përkrahja për Ukrainën, kur shteti evropian po lufton kundër pushtimit rus.

“Ky është projektligji më i rëndësishëm që ne e bëjmë çdo vit”- tha senatori James Inhofe, anëtar i Partisë Republikane dhe i Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura.

Në projektligj përfshihen të paktën 800 milionë dollarë për asistencë shtesë të sigurisë për Ukrainën vitin e ardhshëm si dhe disa dispozita për ta fuqizuar Tajvanin në kohën e tensioneve me Kinën, përfshirë miliarda dollarë në formën e asistencës së sigurisë dhe shqyrtimin e përshpejtuar të furnizimit me armë.

Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit e shprehu mirënjohjen e saj për këtë përkrahje, duke thënë se planifikon masa që do ta ndihmojnë gatishmërinë ushtarake dhe “për t’i siguruar lirinë, të qenët i hapur dhe stabilitetin e rajonit të Indo-Paqësorit”.

Projektligji ndan më shumë fonde edhe për zhvillimin e armëve hipersonike dhe blerjen e aeroplanëve të tipit F-35 si dhe anijeve të prodhuara nga kompania “General Dynamics”, shkruan Nacionale.

Akti për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare nuk është fjala përfundimtare për shpenzimet. Projektligjet për autorizime krijojnë programe, por Kongresi duhet t’i miratojë ndarjet buxhetore për t’ia dhënë qeverisë autoritetin ligjor për t’i shpenzuar mjetet federale.

Një projektligj për financimin e qeverisë deri më 30 shtator 2023 – kur përfundon viti fiskal – pritet të miratohet nga Kongresi javën e ardhshme.

Show More

Related Articles

Back to top button