Moska duket ka gjetur kompromisin me Kievin dhe Ankaranë për një skemë paraprake të krijimit të një korridori të sigurt për nxjerrjen e grurit të bllokuar në portin ukrainas të Odesës.
Ushtria turke do të angazhohet në operacionet e pastrimit të zonës nga minat detare dhe shoqërimin e anijeve deri në ujërat neutrale. Atje do t`i presin anijet ruse, të cilat do t’i shoqërojnë deri në Bosfor.
Lajmin e përcjell gazeta ruse Izvestia, e cila citon burime të mirëinformuara mbi cështjen. Sipas të përditshmes ruse, skema për momentin vlen vetëm për Odesën.
Marrëveshja për heqjen e bllokadës në këtë port të rëndësishëm ukrainas konsiderohet tejet e rëndësishme, pasi mund të shpëtojë nga kriza e urisë 53 vende ku popullsia shpenzon të paktën 60% të të ardhurave të saj për ushqim, e që për rrjedhojë, e ndien shumë rritjen pa fre të cmimit të drithit, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.
Nga ana tjetër megjithatë, ajo konsiderohet thelbësore edhe për uljen e inflacionit ne vendet e pasura. Pakti për nisjen e ngarkesave të bllokuara liron po kështu hapësirë në magazina për të korrat e reja që mbërrijnë brenda pak javësh. Ato llogariten në 19.4 milion ton, apo rreth 40% më pak se 33 milionë tonët që ishte parashikimi për këtë sezon.
Me shifra të tilla, edhe pse më të ulëta nga sa duhet të pritej, Ukraina vazhdon të rendihet e gjashtë mes eksportuesve botërorë të grurit./TCH/