BotaLajme

Netanyahu pranë krijimit të një prej qeverive më të djathta në historinë e Izraelit

Kryeministri i zgjedhur izraelit, Benjamin Netanyahu bëri një hap para drejt krijimit të qeverisë së re, pas miratimit në parlament të një ligji që kishte shkaktuar shumë përçarje, por që në fund mori miratimin e partnerëve të tij në koalicion. Marrëveshja e arritur pas dy muaj negociatash, i mundëson zotit Netanyahu krijimin e një prej qeverive më të djathta në historinë e vendit.

Amendamenti i dytë i mundëson Aryeh Deri-t, kreut të partisë ultra-ortodokse Shas të shërbejë si ministër, pavarësisht faktit se ai është dënuar për mashtrim me taksat.

Zoti Deri pritet të marrë postin e ministrit të Financave pas dy vitesh, sipas një marrëveshjeje për ndarjen e pushtetit me udhëheqësin e partisë së Zionizmit Fetar, Bezalel Smotrich.

Por menjëherë pas miratimit të ligjit, Gjykata e Lartë izraelite tha se do të shqyrtojë kërkesën e një grupi të përbërë nga shkencëtarë, akademikë dhe ish-diplomatë të quajtur “Bastioni Demokratik”, kundër emërimit të zotit Deri.

Zoti Netanyahu pritet të bëjë betimin për qeverinë e tij të re më 29 dhjetor, pas hyrjes në fuqi të ligjit që i siguron kompetenca të reja mbi policinë Itamar Ben-Gvirit, kreut të partisë ultra-nacionaliste Jude Power, si ministër i sigurisë kombëtare.

Ky ligj, krahas zotimeve për të frenuar kompetencat e Gjykatës së Lartë, deklarimeve kundër homoseksualëve nga anëtarët e koalicionit dhe thirrjet që të lejohen bizneset të refuzojnë shërbimet ndaj njerëzve duke u bazuar në pikëpamjet e tyre fetare, kanë alarmuar izraelitët liberalë dhe aleatët perëndimorë dhe kanë nxitur kritika nga grupet për të drejtat e njeriut, bizneset dhe zyrtare publikë.

Në përgjigje të kritikave, zoti Netanyahu ka përsëritur zotimin e tij se do të mbrojë të drejtat civile dhe se nuk do të lejojë prekjen e të lirive të pakicës arabe apo komunitetit LGBTQ./VOA

Show More

Related Articles

Back to top button