Shumë njerëz janë mbledhur në Vatikan për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-Papa Benediktit XVI.
Ndërsa zbardhi agimi mbi Vatikan, një radhë po krijohej tashmë në buzë të sheshit të Shën Pjetrit.
Papa Françesku do të kryesojë funeralin e së enjtes – hera e parë që një Papë do të varroset nga pasardhësi i tij.
Në ballë ishte At Alfredo Elnar, 30 vjeç, nga Filipinet. Ai tha se kishte studiuar dhe admiruar shkrimet teologjike të ish-Papës dhe foli për një zbrazëti që nga vdekja e tij, shkruan BBC.
Pak më mbrapa, motra Marianna Patricevic, një murgeshë nga Kroacia, foli se sa mirënjohëse ishte për gjithçka që kishte bërë Papa i ndjerë – duke thënë se nuk kishte një lëndë që ajo studionte në universitet ku nuk diskutonin pikëpamjet e tij.
Ati Richard Kunst, i ardhur nga SHBA, tha se kur të kalonte trupin e Papës, do të lutej për të – por edhe për një mrekulli për të ndihmuar një mik në shtëpi që po vdes nga kanceri.
Ish-Papa Benedikti XVI vdiq natën e Vitit të Ri në moshën 95-vjeçare, pothuajse një dekadë pasi u largua nga pozita për shkak të shëndetit të keq.
Benedikti XVI u bë Papa i parë që dha dorëheqjen në 600 vjet në vitin 2013, duke përmendur problemet shëndetësore.
Trupi i tij do të ekspozohet për tri ditë në një arkivol të hapur në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku njerëzit lejohen të bëjnë nderimet e tyre deri në orën 19:00 çdo mbrëmje.