Komuna e Tetovës nuk arriti ta realizojë në tërësi planin për krijimin e parkingjeve në vitin 2022. Sipas planit vjetor të prezantuar në janar të vitit të kaluar ishin të parapara që deri në fund të vitit 2022 të krijohen 3,090 vende të reja parkimi, por gjatë kësaj periudhe u realizuan vetëm 284, apo vetëm 7 përqind. Sipas komunës, plani nuk është realizuar në tërësi për shkak të vështirësive që kanë hasur. Kaosi në trafik mbetet i pranishëm, shkruan Portalb.mk.
Sipas planit të shpalosur me 11 janar 2022, Komuna e Tetovës planifikonte që deri në fund të vitit të rriste numrin e vendeve të parkimit, përmes parkingjeve zonale, atyre të mbyllura si dhe garazheve në kate.
Ky plan ishte i ndarë në pesë faza, numri i planifikuar i vend-parkimeve zonale ishte 410, të mbyllura 790 dhe në garazhet në kate 1,890. Ndërsa deri në fund të vitit planifikoheshin 3,090 vende të reja parkimi në qytet.
Ky plan nuk u realizua ashtu siç u paralajmërua sipas fazave dhe afateve kohore. Portalb.mk e ka ndjekur këtë projekt dhe ka raportuar për të gjitha fazat. Ndërsa sot, Komuna e Tetovës shprehet se kanë hasur vështirësi në implementimin e këtij projekti.
“Në periudhën nga janari e deri në dhjetor të vitit 2022, edhe përkundër vështirësive që kemi hasur si komunë, kemi arritur që të krijojmë 284 parkingje të reja edhe atë: 70 vend-parkingje te Blloku 77 (parking Mema), 34 vend-parkingje te rruga “Strasho Pinxhur”, 70 Vend-parkingje te kompleksi Saranda, 30 vend-parkingje te rruga 120 (Tregu), 40 vend-parkingje R1 (Për Rezident), 40 vend-parkingje R2 (Për Rezident)”, thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.
Kjo nënkupton se garazhe në kate nuk ka ende, janë krijuar disa vende të reja parkimi për banorët rezident, ndërsa është bërë edhe zgjerimi i parkingut zonal në disa pjesë, i cili nuk nënkupton krijimin e vendeve të reja shtesë për parking, aty vetëm se në të kaluarën janë parkuar vetura, pra nuk ka qenë zonal dhe me pagesë.
Zgjerimi i parimit zonal, duket të jetë një indikator për forcimin e gjendjes financiare të ndërmarrjes së parkingjeve, e cila në të kaluarën ka punuar vazhdimisht në humbje. Ndërsa vetëm vitin e kaluar, në tre mujorin e parë dhe të dytë së bashku ndërmarrja doli në fitim me mbi 100 mijë euro, ndërsa në tre-mujorin e tretë ndërmarrja doli në fitim me rreth 29 mijë euro.
Kujtojmë që gjatë kësaj periudhe u rrit çmimi i parkimit zonal, atyre të mbyllura, ajo e shërbimit merimangë.
Ndërkaq sa u përket garazheve në kate dhe parkingjeve të mbyllura, të njëjtat sipas komunës do fillojnë të ndërtohen gjatë këtij viti.
Kryetari i Komunës së Tetovës nuk e mbajti premtimin parazgjedhor se parkingu do të jetë falas derisa të krijojë parkingje të mjaftueshme për çdo veturë. Parkingu pa pagesë ishte vetëm dy javë dhe e pagesa u rikthye.
Numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës është i lartë rreth 44 mijë, me çka kaosi në trafik mbetet evident, sidomos ditëve të fundit kur edhe fluksi i veturave u rrit ndjeshëm nga ardhja e mërgimtarëve në pushime. Edhe pse komuna i ka shndërruar disa oborre të shkollave në parkingje gjatë pushimeve dimërore, kjo përsëri është e pamjaftueshme për zgjidhjen e problemit.