BotaLajme

Greqia bën thirrje për zgjidhje të përbashkët mbi mungesën e barnave në BE

Greqia i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) për të gjetur zgjidhje të përbashkët për mungesën e barnave që ka prekur disa vende anëtare.

Gjatë një interviste, ministri grek i Shëndetësisë, Thanos Plevris, deklaroi se i është drejtuar Komisioneres Evropiane për Shëndetësi dhe Sigurinë Ushqimore, Stella Kyriakidou, në një letër për zgjidhjen e mundshme të mungesës së barnave.

Duke theksuar se Greqia ka zbatuar një sërë masash për të adresuar problemin, ai theksoi rëndësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të përbashkët.

Plevris sugjeroi se importi dhe shpërndarja e centralizuar e lëndëve të para që përdorin industritë farmaceutike mund të shërbejë si zgjidhje e menjëhershme.

Ai shtoi se BE-ja duhet të ndërmarrë hapa për të mbështetur industrinë farmaceutike evropiane sepse “kriza ka treguar se BE-ja nuk mund të varet vetëm nga importimi i lëndëve të para nga Azia”.

Plevris shtoi se mes epidemisë së vazhdueshme të gripit dhe infeksioneve të tjera të sistemit të frymëmarrjes, kërkesa e lartë aktuale për barna që përdoren kundër tyre do të ulet me kalimin e dimrit, duke e kthyer tregun në normalitet.

Dje, Greqia prezantoi një plan për trajtimin e mungesës së ilaçeve.

Masat do të përfshijnë rritjen e çmimit të barnave me çmim shumë të ulët dhe shpenzime më të larta për të siguruarit gjatë blerjes së barnave, si dhe kontrolle më të rrepta të depove dhe farmacive.

Show More

Related Articles

Back to top button