Portali boshnjak “Klix.ba” ka shkruar se posedon një “non-paper” austriak të quajtur “Zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe politika e fqinjësisë përtej modeleve ekzistuese”, i cili propozon ndër të tjera anëtarësimin “gradual” të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Siç ka raportuar “Blix.ba”, në dokumentin e shkruar në maj të vitit 2022, në fillim thuhet se agresioni rus në Ukrainë ka ndryshuar rrethanat gjeopolitike, ka rrezikuar politikën e “fqinjësisë lindore” të Bashkimit Evropian (BE) dhe mund të ketë pasoja negative për stabilitetin e Ballkanit.
“Ne duam dhe kemi nevojë për vendet e këtij rajoni në anën tonë. Ata janë një partner kyç dhe një pjesë integrale e familjes sonë evropiane. Për këtë arsye, ne duhet të rimendojmë qasjen tonë ndaj procesit të zgjerimit dhe politikës sonë fqinjësore”, thuhet në raportimin e medias boshnjake.
“Non-paper” austriak sipas këtij mediumi thotë se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të përdoret si një instrument gjeostrategjik dhe jo thjesht procedurë burokratike. Ata theksojnë se procedura aktuale e zgjerimit nuk ka dhënë rezultate të rëndësishme.