BotaLajme

“Rritet fluksi i udhëtimeve me relaksimin e masave ndaj COVID-19”

Kufizimet, të vendosura me shpërthimin e pandemisë, u hoqën zyrtarisht në Kinë më 8 janar, që përkon me fillimin e fluksit të udhëtimit për Vitin e Ri Kinez 2023. Miliarda udhëtime mund të bëhen brenda dhe jashtë vendit gjatë stinës festive që kulmon me pushimet shtatëditore që do të nisin më 21 janar.

Qeveritë në mbarë botën nuk kanë humbur kohën për të tërhequr pushuesit e mundshëm nga Kina në prag të rihapjes të dielën, duke shpërndarë foto dhe video të pikave të njohura turistike nëpërmjet “Weibo”-së, rrjet social kinez i ngjashëm me “Twitter-in.

“Miq kinezë, Franca ju mirëpret krahëhapur,” shkroi ambasada franceze në “Weibo”, duke e shoqëruar me disa foto të pikave turistike që përbëjnë krenari kombëtare për vendin organizator të Lojërave Olimpike 2024.

“Tajlanda e mrekullueshme ju ka pritur për tre vjet,” lexohet në një postim në “Weibo” nga zyra kombëtare e turizmit e këtij vendi të Azisë Juglindore, i cili përmban gjithashtu një hashtag që përkthehet si: “Kina rifillon udhëtimet e rregullta jashtë vendit”.

Ministri i Turizmit i Arabisë Saudite, Ahmed Al-Khateeb, shprehu shpresën që më shumë turistë kinezë do të vizitojnë vendin e tij dhe do të mësojnë për trashëgiminë, kulturën dhe popullin saudit.

“Kina është një nga partneret kryesore tregtare të Arabisë Saudite dhe ne kemi shijuar kulturën e trashëgiminë kineze për shumë vjet, veçanërisht ushqimin e shijshëm që mund të gjendet kudo në Arabinë Saudite. Tani ne duam që kinezët të vijnë,” tha ministri para mbledhjes së 116-të të Këshillit Ekzekutiv të Organizatës Botërore të Turizmit në Xhedah.

Të dhënat dëshmojnë se fushata mediatike për të tërhequr turistët kinezë mund të ketë ardhur pikërisht në kohën e duhur, duke përfituar nga rritja e kërkesës për udhëtime gjatë Festës së Pranverës

Brenda gjysmë ore nga njoftimi për politikën e rihapjes në fund të vitit të kaluar, kërkimet për destinacione jashtë shtetit u rritën me 1 000 për qind, duke arritur nivelin më të lartë në tre vjet, sipas agjencisë kineze të udhëtimeve në internet “Ctrip”.

Të dhënat nga Grupi “Trip.com” treguan gjithashtu se numri i porosive për bileta aeroplani u rrit me 254 për qind në 24 orë më 27 dhjetor, me Singaporin, Korenë e Jugut, Japoninë e Tajlandën ndër destinacionet më popullore.
Me heqjen e kufizimeve në udhëtimet jashtë vendit të shtetasve kinezë, pritet një rritje e shifrave në vitin 2023. Analistët vunë në dukje se sektori i udhëtimeve duhet të mbetet elastik për t’iu përgjigjur kushteve në ndryshim.
Udhëtimet turistike ndërkombëtare, që u shtuan 60 për qind në vitin 2022, do të rriten edhe me 30 për qind të tjera në vitin 2023, me turistët kinezë që do t’i japin një impuls të madh kësaj rritjeje, sipas gazetës “The Economist” me qendër në Londër.

Show More

Related Articles

Back to top button