Mjekët paralajmërojnë se një epidemi e re fruthi mund të ndodhë në vendin tonë për shkak të mbulimit të ulët të të vaksinuarve me vaksinën FSHR gjatë pandemisë së Covid 19. Kjo vaksinë e cila mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola merret në moshën një vjeçare. Në rajonin e Gostivarit deri më tani me këtë vaksinë janë imunizuar mbi 80 përqind e fëmijëve, por mjekët thonë se kjo nuk mjafton. Sipas tyre përqindja duhet të arrijë në 95. Mjekja Dafina Bogdanovska, përgjegjëse për imunizim pranë Shtëpisë së Shëndetit në Gostivar, thekson se pa këtë vaksinë e cila është e sigurtë dhe obligative, prindërit nuk do të mund t’i regjistrojnë fëmijët e tyre në çerdhe dhe shkollë.
“Vaksinimi me vaksinën FSHR është ulur. Me përkushtimin dhe sqarimet tona për prindërit, mendoj se tani gjithçka është e qartë për ata dhe kemi arritur në 84 përqind, që për dallim nga komunat tjera, kemi përqindje të mirë. Mund të them vetëm mirë, por që të jetë shumë më e mirë përqindja, duhet prindërit t’i sjellin fëmijët për vaksinim dhe ne jemi këtu edhe për çdo dilemë që ata mund të kenë në lidhje me vaksinën FSHR. Vaksinat ruhen në vend të sigurt, dhe me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, vaksinat janë të obligueshme për të gjithë fëmijët. Për shkak të rënies së përqindjes për vaksinim me vaksinën FSHR, prindërit që nuk i kanë vaksinuar fëmijët e tyre me këtë vaksinë, nuk mund të sigurojnë vërtetim për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe, as në klasë të parë e mendoj se kjo vlenë edhe për regjistrim tanimë në shkollë të mesme”, deklaron mjekja Dafina Bogdanovska.
Bogdanovska rikujton se Maqedonia në vitin 2019 u përball me epideminë e fruthit, në të cilën viktima më e vogël ishte një foshnje gjashtë muajshe, e cila ndërroi jetë si pasojë e komplikimeve. Tani, pas tre vitesh, mbulimi i vaksinimit po bie sërish. Që mos na përsëritet situata, ajo u bëjnë thirrje prindërve që të imunizojnë fëmijët e tyre në kohë.
“Çdo vaksinë që duhet të pranohet është mbrojtje nga sëmundjet ngjitëse të cilat në një farë forme janë çrrënjosur, por prapë i kemi këtu dhe ekzistojnë nëse nuk kemi përfshirje të mjaftueshme me vaksinim. Kemi pasur epidemi të fruthit para dy vitesh pikërisht për shkak të asaj përqindje. Pastaj e kemi sëmundjen ngjitëse polio, e cila ka kohë që është e çrrënjosur, pastaj tuberkuloza ku poashtu numri është ulur shumë dhe vaksina të tjera që japim sipas kalendarit për vaksinim”, deklaron mjekja Dafina Bogdanovska.
Fëmijët që vuajnë nga sëmundjet malinje, SIDA dhe kanë imunitet të dobët për arsye të ndryshme, nuk mund ta pranojnë vaksinën FSHR. Që mos rrezikohen edhe më shumë këta fëmijë, mbrojtja më e mirë është vaksinimi i fëmijëve të shëndoshë.
“Ka fëmijë të cilët nuk mund të vaksinohen dhe nuk mund të mbrohen. Në rastin konkret ajo mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola dhe për ata fëmijë që nuk mund të vaksionohen, këto sëmundje paraqesin rrezik, mund të na ndodh epidemi, pasi ka efekt të kundërt dhe nuk mund ta pranojnë vaksinën. Prandaj, ata fëmijë që mund ta pranojnë vaksinën në një formë janë mbrojtja rreth atyre fëmijëve që nuk mund ta pranojnë vaksinën. Imunizimi i tyre nënkuptonn edhe mbrojtje për ata fëmijë që nuk mund të vaksinohen. Fëmijët që nuk mund ta pranojnë këtë vaksinë janë ata me imunitet të dobët për shkaqe të ndryshme, që mund të vijë nga sëmundjet malinje apo sëmundje të tjera që nuk lejojnë të vaksinohen”, deklaron mjekja Dafina Bogdanovska.
Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë në nivel vendi, mbulimi në vitin 2021 me dozën e parë të vaksinës FSHR ka qenë 70,4%, dhe me dozën e dytë 80,4%.