Kryeministri japonez Fumio Kishida i ka kthyer sytë nga Kanadaja për ta ndihmuar vendin e tij që të ulë ndërvarësinë nga burimet fosile të energjisë nga vende si Rusia.
Zoti Kishida ndodhet në Otavë për vizitën e tij të parë si kreu i qeverisë japoneze, ndërsa do të vazhdojë me turin e vizitave edhe në vende të tjera të G-7ës.
Japonia mban këtë vit kryesinë e Grupit të Shtatëshes dhe pritet të organizojë takime me udhëheqësit e disa prej vendeve më të pasura të botës. Në këtë grup marrin pjesë Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara, plus Bashkimi Evropian.
Tokio pritet ta shfrytëzojë kryesimin për t’u koordinuar me vendet e tjera për sa i përket mbarëvajtjes ekonomike, si dhe për të ndëshkuar Rusinë për sulmin ndaj Ukrainës.
Kryeministri Kishida mbërriti në Otavë të mërkurën, pasi vizitoi Londrën dhe pritet që të niset edhe drejt Uashingtonit.
Vizita vjen në një kohë ravijëzimi gjeopolitik mes Japonisë dhe Kanadasë. Të dyja vendet e konsiderojnë Kinën një rrezik për stabilitetin në rajon.
Kjo është vizita e parë e një kreu qeverie nga vendet e Azisë që kur Otava prezantoi strategjinë e saj për rajonin Indo-Paqësor në muajin nëntor, ku bëhet thirrje për marrëdhënie më të ngushta mes vendeve, si një kundërpeshë ndaj influencës së Pekinit.
Një strategji e re mbrojtjeje e Japonisë e publikuar muajin e kaluar përfshin bashkëpunimin me aleatët përkundër rreziqeve nga Koreja e Veriut dhe Kina, dhe e konsideron si veprim të ligjshëm që Japonia të kryejë sulme ushtarake ndaj bazave të armikut. Brenda vetëm një viti, Tokio ka rritur shpenzimet ushtarake me 26%.
Ndërkohë, një marrëveshje tregtare rajonale që u prezantua në vitin 2018 i ka ndihmuar të dyja vendet të zgjerojnë tregtinë në tregjet reciproke. Kanadaja ka shtuar eksportet e mishit të derrit dhe të vajit drejt Japonisë, ndërsa ka importuar nga Japonia më shumë makineri dhe pjesë këmbimi automjetesh.
“Tregtia po lulëzon midis dy vendeve tona”, tha Kryeministri Justin Trudeau në një drekë të enjten për nder të zotit Kishida dhe drejtuesit e korporatave.
“Ne ndajmë një vizion për paqe dhe prosperitet në të dy anët e Paqësorit”.
Zoti Kishida u tha të ftuarve se gazi natyror i lëngshëm (LNG) do të luajë një “rol vendimtar” në tranzicionin energjitik të Japonisë dhe se terminali i ardhshëm i eksportit të LNG-së i Kanadasë është një shembull i mënyrave të shumta që Otava mundet të ndihmojë.
“Për shkencën, teknologjinë dhe inovacionin, (transformimin dixhital) dhe kompanitë e reja, jam shumë i etur për të forcuar më tej bashkëpunimin midis industrisë, qeverisë dhe akademikëve në të dy vendet”, u tha zoti Kishida pjesëmarrësve në japonisht.
“Energjia bërthamore do të luajë gjithashtu një rol kyç dhe ne duam të punojmë së bashku për ta bërë zinxhirin e furnizimit bërthamor më elastik”.
Qeveria kanadeze do të drejtojë një delegacion tregtar në Japoni këtë vjeshtë, tha zoti Trudeau, dhe kompanitë japoneze të interesuara në miniera dhe komponentët e baterive të automjeteve elektrike synojnë të vizitojnë Kanadanë në pranverë./VOA