BotaLajme

NATO do të zhvendosë avionët e zbulimit në Rumani

NATO po zhvendos disa prej avionëve të saj të zbulimit në Rumani, të cilët aktualisht gjenden në Gjermani. Këta avionë do të jenë më afër territorit të Ukrainës, teksa Rusia po vazhdon pushtimin e këtij shteti.

Avionët e zbulimit me Sistemin Ajror të Paralajmërimit dhe Kontrollit (AWACS) pritet të arrijnë në Bukuresht të martën “për të mbështetur prezencën e përforcuar të aleancës në rajon dhe për të monitoruar akvititetin ushtarak rus”, tha NATO përmes një njoftimi.

Avionët AWACS, që zakonisht janë të stacionuar në perëndim të Gjermanisë, do të stacionohen në bazën e forcave ajrore rumune në Otopeni afër Bukureshtit, rreth 200 kilometra nga kufiri me Ukrainën. Këta avionë do të qëndrojnë në Rumani – shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian – për disa javë.

“Teksa lufta e paligjshme e Rusisë në Ukrainë vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në Evropë, nuk duhet të ketë dyshime lidhur me vendosmërinë e NATO-s për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të aleatëve”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

“AWACS-ët tanë mund të zbulojnë avionët nga qindra kilometra largësi, duke i bërë ata një aftësi kyçe për parandalimin dhe qëndrimin e mbrojtjes të NATO-s. E falënderojmë Rumaninë që do të pranojë avionët, shtet i cili jep një kontribut të rëndësishëm për paralajmërimin tonë të hershëm”, shtoi ajo. Rreth 180 pjesëtarë të personelit ushtarak po ashtu do të dislokohen në bazën në Otopeni. NATO nuk ka specifikuar se sa prej 14 avionëve të saj AWACS, që aktualisht gjenden në Gjermani, do të dërgohen në Rumani. Por, sipas burimeve, Dpa ka mësuar se tre avionë do të dërgohen në Rumani.

Avionët AWACS dhe radarët që kanë, janë në gjendje të zbulojnë dhe identifikojnë avionë të tjerë në një distancë prej më shumë se 400 kilometrash. Këta avionë po ashtu mund të dërgojnë informacione tek avionët e tjerë.

Në të kaluarën, avionët e tillë janë përdorur gjatë operacioneve kundër grupit militant, Shteti Islamik, apo në Afganistan.

Show More

Related Articles

Back to top button