LajmeMaqedoni

Pendarovski nga Davosi: Të ruhet uniteti dhe solidariteti evropian dhe transatlantik edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë

Presidenti Stevo Pendarovski, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, sot mbajti fjalim në panelin “Në mbrojtje të Evropës”, ku morën pjesë edhe Andrzej Duda, presidenti i Republikës së Polonisë, Gitanas Nauseda, presidenti i Republikës së Lituanisë, si dhe José Manuel Alvarez Bueno, ministër i punëve të jashtme, i BE-së dhe bashkëpunimit të Spanjës dhe Svetlana Tsikhanouskaya – udhëheqëse e Forcave Demokratike të Bjellorusisë.

Presidenti Pendarovski vlerësoi se përkundër luftës në Ukrainë, sfidat dhe shumëfishimi i krizës inkurajojnë solidaritetin e treguar, jo vetëm në nivel evropian, por edhe solidaritetin transatlantik, i cili, sipas vlerësimit të tij, është në një nivel që nuk ka qenë prej vitesh dhe duhet të nxirret prej andej shpresa për vitin e ardhshëm.

Presidenti Pendarovski theksoi se është e nevojshme të ruhet uniteti dhe solidariteti evropian dhe transatlantik edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë, ndërsa nëse të gjithë kthehen në interesat kombëtare, do të jetë e vështirë të mbahet. Presidenti theksoi se demokracitë duhet të qëndrojnë së bashku dhe të luftojnë për ruajtjen e vlerave demokratike, sepse përndryshe do të mbizotërojnë regjimet autokratike dhe diktatoriale. Gjëja më e rëndësishme, sipas tij, është ruajtja e unitetit dhe solidaritetit të plotë pas përfundimit të luftës në Ukrainë.

I pyetur për sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, presidenti Pendarovski theksoi se ekzistojnë dy pika të ndjeshme në rajon – Republika Sërpska dhe veriu në Republikën e Kosovës, ku tentohet të cenohet integriteti i këtyre vendeve. Presidenti Pendarovski vlerësoi se një pikë vulnerabël në arkitekturën e sigurisë evropiane, përveç Ukrainës, është Ballkani Perëndimor dhe kësaj duhet t’i kushtojnë vëmendje NATO dhe BE.

Në kuadër të forumit në Davos, presidenti Pendarovski do të marrë pjesë edhe në sesionin “Dialogu diplomatik për Ballkanin Perëndimor”, ku do të ketë disa takime bilaterale me pjesëmarrësit e forumit.

Takimi vjetor i Forumit Ekonomik Botëror në Davos, i titulluar “Bashkëpunimi në një botë të fragmentuar”, zhvillohet nga 16 deri më 20 janar 2023 dhe mbledh së bashku liderë nga politika, biznesi dhe shoqëria civile për të debatuar gjendjen e botës dhe prioritetet per vitin vijues.

Ndër shumë çështje të tjera të ndryshme që do të diskutohen gjatë takimit katërditor janë e ardhmja e plehrave artificiale, roli i sportit në shoqëri, përdorimi i fuzionit bërthamor si burim i energjisë elektrike dhe situata me pandeminë Covid-19.

Ditën e djeshme filloi zyrtarisht tubimi pesëditor i elitës botërore me moton “Bashkëpunimi në botën e çarë”. Nuk dihet ende nëse presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i drejtohet Forumit si vitin e kaluar, ndërsa është e sigurt që presidenti rus Vladimir Putin nuk do të mbajë fjalim.

Një nga njerëzit më të pasur në planet, Elon Musk, tha se po qëndron larg Davosit “pasi tingëllon mërzitshëm” ngjarja, e cila përfshin diskutime të shumta në panel mbi çështje nga politika monetare dhe pikat e nxehta gjeopolitike te energjia e rinovueshme dhe shëndeti publik.

Megjithatë, organizatorët kanë njoftuar se do të jenë të pranishëm më shumë se 1500 biznesmenë nga të gjitha industritë, si dhe një sërë institucionesh financiare.

Takimet në Davos janë mbajtur për dekada, me disa përjashtime.

Përgjatë konferencës, udhëheqësit e shteteve dhe organizatat ndërkombëtare shkëmbejnë pikëpamje për çështje të aktualitetit.

Presidenti i Forumit Ekonomik Botëror, Borge Brende deklaroi, se “takimi i Davosit zhvillohet në sfondin e gjendjes më të komplikuar gjeopolitike dhe ekonomike. Ndodhet shumë në lojë për ekonominë botërore, që duhet të shmangë një rececion botëror, ngadalësimin e rritjes ekonomike, inflacionin e lartë dhe borxhet në rritje.” Për herë të parë pas pandemisë, takimi i Davosit zhvillohet në kushte normale si konferencë me prezencë në alpet zvicerane.

Show More

Related Articles

Back to top button