BotaLajme

UNESCO: Shifrat e vrasjeve të gazetarëve në rritje

Numri i gazetarëve të vrarë në mbarë botën është shënuar me rritje të ndjeshme në vitin 2022, pas një regjistrimi në rënie gjatë tri viteve të mëparshme, thuhet në një raport të hënën nga organi kulturor i OKB-së, UNESCO.

Ky organ iu OKB-së e raportoi vdekjen e 86 gazetarëve vitin e kaluar, me 19 të vrarë vetëm në Meksikë, të ndjekur nga 10 në Ukrainë dhe nëntë në Haiti.

Mesatarisht 58 gazetarë janë vrarë nga viti 2019 deri në vitin 2021, sipas raporteve të mëparshme të UNESCO-s, me 2021 që regjistroi 55 vrasje. Këto tri vite shënuan një rënie nga viti 2018 kur u vranë 99 gazetarë.

Drejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ka thënë përmes një deklarate se numri i viktimave të vitit 2022 ishte “alarmant”.

“Autoritetet duhet t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund këtyre krimeve dhe për të siguruar që autorët të dënohen sepse indiferenca është një faktor kryesor në këtë klimë dhune,” tha Azoulay.

Pse u vunë në shënjestër gazetarët?

Tri të katërtat e vrasjeve ndodhën në vendet pa konflikt të armatosur, e ku Amerika Latine është shtëpia e më shumë se gjysmës së vdekjeve të gazetarëve.

Disa nga arsyet pse gazetarët u vranë ishin për shkak të hakmarrjes për raportimin e tyre mbi krimin e organizuar, konfliktin e armatosur ose rritjen e ekstremizmit.

Disa gazetarë u vranë gjithashtu për mbulimin e temave të ndjeshme, të tilla si korrupsioni, krimi mjedisor, shpërdorimi i pushtetit dhe protestat.

“Nuk ka hapësira të sigurta” për gazetarët

UNESCO vuri në dukje se gati gjysma e gazetarëve të vrarë ishin në shënjestër ndërkohë që nuk ishin në vendin e punës. Disa u sulmuan gjatë udhëtimit, në parkingje ose vende të tjera publike, ndërsa të tjerët ishin në shtëpitë e tyre në momentin e vrasjes.

UNESCO paralajmëroi se kjo nënkupton se “nuk ka hapësira të sigurta për gazetarët, edhe atëherë kur janë në kohën e tyre të lirë”.

UNESCO regjistroi gjithashtu mosndëshkimin për vrasjet e gazetarëve në 86%, një normë kjo për të cilën thotë se është “tejet e lartë”, pavarësisht se ka shënuar progres në pesë vitet e fundit.

Përveç vrasjeve, gazetarët në vitin 2022 ishin edhe viktima të formave të tjera të dhunës. Kjo dhunë përfshinte zhdukjen me forcë, rrëmbimin, ndalimin arbitrar, ngacmimin ligjor dhe dhunën dixhitale, me gratë në shënjestër në veçanti./DW

Show More

Related Articles

Back to top button