Osmani në takime pune në Bruksel me Borel, Lajçak dhe Xhoana
Kryesuesi me OSBE-në dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot ndodhet për vizitë pune në Bruksel, me ç’rast do të ketë takime pune në BE dhe në NATO, me qëllim të shqyrtimit të mundësive për thellim të bashkëpunimit mes OSBE-së, BE-së dhe NATO-s, si dhe bisedime për çështjet aktuale të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut.
Siç informojnë nga MPJ, Osmani do t’i drejtohet Këshillit veriatlantik të NATO-s, ku do ta prezantojë Programin për kryesim të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në këtë vit.
Në kuadër të vizitës, Osmani do të ketë edhe takime të ndara me përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë dhe nënkryetar i Komisionit evropian, Zhozep Borel, me zëvendësin e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mirçea Xhoana, të dërguarin e posaçëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak dhe një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të BE-së dhe të NATO-s.
“Në takimet në BE, fokusi kryesor do të jetë përforcimi i bashkëpunimit të OSBE-së me BE-në gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut, si dhe prezantimi i pozicioneve të Maqedonisë së Veriut për ngjarjet aktuale të politikës së jashtme. Në strukturat e NATO-s dhe në bisedimet me përfaqësues të Aleancës, krahas prezantimit të programit për Kryesim me OSBE-në, Osmani do të informojë edhe për aktivitetet e realizuara deri më tani në OSBE me theks të veçantë Ukrainën”, thonë nga MPJ-së.