Kancelari Scholz dhe kryebashkiakja e Berlinit, Giffey e cilësuan vrasje në amok, sulmin e djeshëm vdekjeprurës, ku një automjet hyri mes një grupi kalimtarësh, me pasojë vdekjen e një mësueseje.
Sulmi me automjet ditën e mërkurë, me pasojë vdekjen e një personi dhe disa të plagosur është cilësuar si një sulm amok si nga kancelari gjerman, Olaf Scholz edhe kryebashkiakja e Berlinit, Franziska Giffey dhe zëdhënës të policisë. Në një intervistë për rbb, Giffey bëri fjalë për një “ditë të errët në historinë e Berlinit”. Në mbrëmjen e së mërkurës, kancelari Scholz shkroi në twitter për “vepër amok të tmerrshme”. Kjo e “prek atë thellë”, u shpreh Scholz. Udhëtimi i një klase u kthye në makth. “Mendimet tona janë tek të afërmit e së ndjerës dhe tek të plagosurit, ku mes tyre gjenden edhe fëmijë. Ne ju urojmë shërim të shpejtë”, shkroi kancelari gjerman.
Hetimet e para të policisë, sipas kryebashkias së Berlinit, Giffey japin të dhëna, se “bëhet fjalë për sulm amok të një personi me probleme të rënda psikike.” Aktualisht përmes një përkthyesi po bëhen përpjekje “të kuptohet më shumë nga deklaratat e çoroditura” të shoferit të automjetit, një gjermano-armen. Aktualisht hetimet zhvillohen nga një komision i kriminalistikës dhe jo prokuroria e shtetit, që e merr në dorë rastin, nëse akti ka motive politike. Menjëherë të mërkurën është kontrolluar edhe apartamenti i gjermano-armenit, ku nuk është gjetur ndonjë letër për sulmin, por disa pllakate me deklarata që sipas senatores së Brendshme të Berlinit, Iris Spranger tregojnë një lidhje me Turqinë.
29 vjeçari gjermano-armen me qëndrim në Berlin ditën e mërkurë u fut me një automjet të vogël drejt një grupi kalimtarësh. Mes tyre ndodheshin edhe nxënësit e një klase maturantësh nga Bad Arolsen, Hessen. Mësuesja e tyre ndërroi jetë pas sulmit. 14 vetë u plagosën, sipas policisë. Gjermano-armeni njihej si emër te policia, por jo për vepra ekstremiste, por vepra të tjera penale.